E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çiljeta dhe Ingridi, ja pse bëmë sherr

Dy këngëtaret seksi rrëfejnë detaje mbi duelin e pazakontë që kanë zhvilluar në një ring të vërtetë boksi, grushtet ndaj njëra-tjetrës, xhirimet në Dhërmi dhe trofeun që ende nuk e kanë fituar

Të veshura me rroba boksieri dhe me doreza në duar, ato bëhen gati për zhvilluar një ndeshje mes njëra-tjetrës. Një duel që zhvillohet në një ring të vërtetë boksi, por këtë herë jo për të fituar ndonjë trofe sportiv, por për të fituar zemrën e një djaloshi donzhuan që del me të dyja vajzat seksi. Duket se kjo nuk është jeta reale, por fabula e këngës më të re, me titull “Puçi, puci”, që Ingrid Gjoni e Çiljeta Xhilaga kanë prezantuar në disa stacione muzikore në vend. “Kemi konstatuar që klipi është pëlqyer shumë dhe për këtë na vjen mirë, pasi ky është edhe misioni ynë: të kënaqim shijet e fansave dhe të publikut të gjerë. Kam bindjen se edhe mënyra sesi është realizuar videoklipi është goxha e gjetur, pasi edhe për ne të dyja ishte hera e parë që shkelnim në një ring boksi, që kishim pranë një komentator sportiv dhe që ziheshim me njëra-tjetrën për më tepër. Për asnjë arsye në botë nuk do të ziheshim me njëra-tjetrën, e jo më për një mashkull”, pohojnë për gazetën Çiljeta dhe Ingridi.

Gjatë pjesës së fundit të videos muzikore, ato të dyja ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën. E njëjta veshje, e njëjta frizurë e flokëve, si dhe një make up i lehtë ka pasur si qëllim që dy këngëtaret të dilnin gati si binjake. Në fakt, aq shumë po rrinë me njëra-tjetrën ato të dyja, sa mediat kanë nisur të gërmojnë për faktet që fshihen pas asaj miqësie aq solide që vajzat seksi ndajnë prej vitesh. Nuk është konkurrencë, por një stil që ato kanë zgjedhur për t’u prezantuar gjithkund. Bashkë nëpër koncerte, bashkë nëpër kafene, në plazhe e në pub-et e natës, së fundmi të dyja edhe në një bashkëpunim muzikor. “Më vjen mirë që njerëzit bëhen kuriozë për lidhjen tonë, pasi ne kemi dashur gjithmonë të bëjmë “boom”. Edhe me “Puçi, puçin”, ndonëse nuk kemi fituar betejën për të dashurin, të paktën kemi fituar publicitetin dhe komentet e pafundme që na kanë ardhur nga shumë njerëz”, thotë Ingridi.

Një videoklip i gjetur, me doza të larta ekzaltuese, ka bërë që sytë e shumë meshkujve të drejtohen pikërisht nga këto dy femrat të nxehta, që i çojnë në maksimum temperaturat në këto ditë vere. Ndaj, jo më kot, pasi heqin nga trupi veshjen e boksit, ato zbulojnë linjat e tyre trupore me kostume banje, që u kanë kushtuar jo pak, por nga 200 euro secilës. Për të pasur një performancë të kënaqshme, Ingridi është ushtruar për javë të tëra, për të ulur kësisoj disa kile nga pesha. Përpos seancave të plota të solarit dhe konsultave të shpeshta me stilisten personale, ato ia kanë dalë mbanë, pasi kanë publikuar një “Puçi, puçi” që të lë me gojëhapur. “Komentet më të shumta i kemi marrë për atë skenën kur ne jemi të shtrira në ring, të veshura me rroba banje dhe zihemi me njëra-tjetrën. Më pas janë grushtimet në fytyrë e shumë skena të tjera të nxehta, që na kanë pëlqyer neve që ishim protagoniste, e jo më të tjerëve”, përfundon Çiljeta.

Dy këngëtaret e njohura duket se do të mbahen mend gjatë si “boksieret” më seksi që u ndeshën në ring në një mënyrë krejt speciale.

“Kam bindjen se edhe mënyra sesi është realizuar videoklipi është goxha e gjetur, pasi edhe për ne të dyja ishte hera e parë që shkelnim në një ring boksi, që kishim pranë një komentator sportiv dhe që ziheshim me njëra-tjetrën për më tepër. Për asnjë arsye në botë nuk do ziheshim me njëra-tjetrën e jo më për një mashkull”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›