Përgjaket fundjava, dy vrasje në Tiranë
Vritet për nder 30-vjeçari, ndërsa një sherr banal sjell vdekjen e një adoleshenti
Dy vrasje të tjera kanë tronditur vendin dje, ndërkohë që policia ka identifikuar autorët. Një adoleshent është vrarë në Kavajë me mjete të mprehta, ndërkohë që një 27-vjeçar është qëlluar me breshëri automatiku në një trotuar pranë zonës së Xhamllikut në Tiranë. Ngjarja e Kavajës ka ndodhur nga një sherr banal për një fjalë goje, ndërkohë që policia ka mundur të arrestojë autorin 19-vjeçar. Nga ana tjetër, policia e Tiranës, e cila ka shënuar edhe vrasjet e para për këtë vit, ka shpallur në kërkim autorin e vrasjes tjetër, Albert Dashi. Sipas policisë, motivi i kësaj ngjarjeje mendohet një konflikt mes familjesh, pasi viktima kishte “rrëmbyer” për nuse vajzën e xhaxhait të autorit.
Vrasje për nder
Vrasjet për çështje nderi në familje duket se tashmë kanë mbërritur edhe në Tiranë. Kështu ka ndodhur edhe me ngjarjen e djeshme, kur ka mbetur i vrarë Armand Hasani. Një martesë e pa miratuar ka bërë që dy familjet, të cilat janë rome, të hyjnë në sherr, duke përfunduar me një të vrarë dhe një të shpallur në kërkim. E priste para shtëpisë dhe me një breshëri kallashnikovi ka ekzekutuar dhëndrin e xhaxhait. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:00 në Tiranë, kur Armand Hasani, 30 vjeç, është qëlluar për vdekje nga i dyshuari Albert Dashi, i njohur edhe me emrin Bert Qorri. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilët kanë zbardhur dhe ngjarjen. Gjithçka ka ndodhur në zonën e quajtur “Xhamlliku”. Sherri mes dy familjeve kishte filluar gati një vit më parë, pasi viktima e djeshme mori për bashkëshorte një vajzë nga fisi i Dashit. Kjo martesë ishte e pamiratuar nga familjarët e vajzës, por viktima duket se nuk kishte menduar se ajo lidhje do t’i sillte vdekjen. E prej ditësh, mes personit që u vra dje dhe autorit të dyshuar, kishte pasur fërkime të ndryshme në publik, e deri te sherret me fjalë. Por, dita e djeshme ka qenë fatale për 30-vjeçarin nga Tirana. Autori i dyshuar e kishte pritur viktimën e tij afër banesës dhe kur kishte gjetur momentin e përshtatshëm, e ka qëlluar, duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se dy familjet i kishin shtëpitë afër njëra-tjetrës në zonën ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë. Më pas, Dashi ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë. Familjarët e viktimës kanë dëgjuar krismat dhe kanë dalë menjëherë në rrugë. Aty ata kanë gjetur të afërmin e tyre. Dhe pse janë munduar që t’i japin ndihmë, gjithçka ka qenë e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë. Më pas është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Të parët kanë mbërritur patrullat e Komisariatit 4, që kanë dhe zonën nën administrim dhe më pas kanë shkuar dhe specialistët e Sektorit të Krimit Kundër Jetës dhe Shëndetit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Këta të fundit kanë nisur hetimet intensive dhe kanë zbardhur ngjarjen, duke bërë të mundur dhe identifikimin e autorit të dyshuar. Dëshmitë e familjarëve të viktimave kanë qenë ato që kanë bërë dhe sqarimin e rrethanave të krimit, të ardhur pas një viti sherri mes dy familjeve. Ata kanë treguar për policinë dhe fillesat e sherrit, pas martesës së djalit të tyre me vajzën e xhaxhait të Dashit. Sipas policisë, autori e priste me automatik në dorë dhe ka filluar ta qëllojë qëkur e ka parë në trotuar. Viktima ka tentuar të fshihet në një zyrë pranë vendit të ngjarjes, por aty ka gjetur vdekjen. I ekzekutuari i djeshëm ka qenë i dënuar edhe më parë për vjedhje, ndërkohë që dy vjet më parë i vdiq vëllai nga përdorimi i lëndëve narkotike. Policia e Tiranës deklaroi dje zyrtarisht se për çdo informacion të vlefshëm që do të finalizohet me kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, vendoset në dispozicion shuma e parave prej 1 milion lekësh (të reja) shpërblim, duke ruajtur në çdo rast anonimatin. Personat, që kanë informacion, mund të telefonojnë në numrat telefonik 129 dhe 069 41 10 202.
E vrau për një fjalë goje
Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kavajë, burimet policore bënë të ditur se viktima është Dashamir Kikrri, 19 vjeç, banues në fshatin Aganas, Komuna Golem. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15 të së shtunës, në një lokal në Golem. Viktima 19-vjeçar ka qenë me tre a katër shokë të tij, duke qëndruar në lokal, kur brenda ka hyrë Blindim Isa, 19 vjeç, banues në Kukës. Bashkë me të ka qenë edhe një i afërm i tij. Të dy palët njiheshin mes tyre dhe askush nuk e priste se do të ndodhte ndonjë gjë e rëndë. Sapo kanë hyrë brenda, Dashamir Kikrri ka filluar të tallet me bashkëmoshatarin, duke i thënë fjalë thumbuese në formën e shakasë. Por, kjo nuk i ka pëlqyer 19-vjeçarit dhe as shoqëruesit të tij. Kaq ka mjaftuar dhe mes tyre janë nxehur gjakrat. Për një moment, të pranishmit në lokal i kanë qetësuar, por sherri ka vijuar më vonë. Burimet nga grupi hetimor i policisë së Kavajës bënë të ditur se disa minuta më vonë Kikrri ka dalë nga lokali, ndërkohë që nga mbrapa e ka ndjekur Blindim Isa, bashkë me të afërmin e tij. Sapo ka dalë jashtë, ai ka nxjerrë një dorezë metalike, të cilën e kishte të mprehur dhe pa paralajmërim e ka qëlluar në qafë. Nga forca, doreza i është ngulur në qafë 19-vjeçarit Kikrri, i cili është shtrirë përtokë. Shumë shpejt e ka mbuluar gjaku dhe ai nuk mund të lëvizte. Në këtë kohë, autori i ngjarjes, bashkë me të afërmin e tij, janë larguar me shpejtësi, duke u fshehur. Ndërkaq, të pranishmit në lokal, ku ishin edhe shokët e Kikrrit, kanë dalë për t’i dhënë ndihmën e shpejtë të plagosurit, i cili mbante dorën në qafë dhe vetëm rridhte gjak. Ai është dërguar menjëherë për në Spitalin e Durrësit, ku i është nënshtruar ndihmës mjekësore. Për disa orë, mjekët janë munduar ta mbajnë në jetë, por mjeti i mprehtë i kishte çarë arterien dhe nga kjo ka ndërruar jetë. Policia, e cila ishte njoftuar menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ka shoqëruar fillimisht gjithë shokët e viktimës, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje, ku është bërë i mundur edhe identifikimi i autorit të saj. Më pas, shërbimet policore janë shtrirë në gjithë zonën dhe brenda orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm është arrestuar Blindim Isa. Ai është kapur në banesën e disa të afërmve të tij dhe është shoqëruar bashkë me personin që ishte arratisur. Kur është marrë në pyetje, ai ka deklaruar se viktima e kishte quajtur “çun mamaje” dhe për këtë e kishte goditur, por nuk kishte pasur ndërmend ta vriste. Ai ka shpjeguar se e kishte goditur me dorezë dhe ishte larguar nga frika se shokët e tij do i dilnin në ndihmë dhe nuk e dinte se nga kjo kishte gjetur vdekjen. Policia tha se ai u arrestua për vrasje me dashje. Vetëm brenda katër ditësh janë vrarë tetë persona. Ndërkaq, ngjarja e djeshme është vrasja e parë që ndodh në Tiranë.
#