Precedenti Basha, 200 kërkesa në gjykatë

Të pandehurit dhe institucionet padisin akuzën për afatet e hetimit dhe mosfillimin e procedimeve penale
Prokuroria vihet nën “akuzë” në Gjykatën e Tiranës, në të cilën janë regjistruar 200 padi, ku e paditur është pikërisht organi i akuzës. Dhjetëra persona kundërshtuan afatet e hetimit që zgjaten pafundësisht, duke kopjuar në këtë mënyrë precedentin “Basha”, i cili i dha “pafajësinë” ish-ministrit të Transporteve, megjithëse ishte i akuzuar për një dëm prej 300 milionë eurosh gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Ndërkohë, persona apo institucione publike akuzojnë prokurorinë se ka vendosur, pa hetuar plotësisht, pushimin e dhjetëra procedimeve penale. Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip”, në arkivat apo në kalendarin e çështjeve për gjykim në Gjykatën e Tiranës rezultojnë se janë rreth 200 “kërkesa penale” nga individë apo institucione që pretendojnë se prokuroria ka vepruar gabim. Nga të dhënat e marra rezulton se shumica e kërkuesve akuzojnë prokurorinë se ka vepruar në mënyrë të njëanshme për hetimin e një procedimi, ndërkohë që nuk mungojnë as kërkesat për ankimin për zgjatjen e hetimeve.
Paditë
Gjykata e Tiranës është “pushtuar” nga ankesat e qytetarëve të shumtë, të cilët kundërshtojnë hetimet e prokurorisë. Duke marrë shkas nga rasti “Basha”, kur Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm vetëm me procedura, dhjetëra “kriminelë” janë drejtuar në dyert e gjykatës, me shpresën se do të mund të kapin “mat” përfaqësuesit e organit të akuzës. Brenda harkut kohor të një muaji, në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar rreth 200 padi. Sipas zyrës së statistikës në Gjykatën e Tiranës, paditë, me të “akuzuar” prokurorinë, kanë filluar të regjistrohen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila e shpalli të “pafajshëm” ish-ministrin Basha vetëm me procedura, pa u gjykuar objekti i dosjes penale të hartuar nga Prokuroria e Përgjithshme. I pari që e kopjoi rastin Basha ka qenë shtetasi serbo-boshnjak Damir Fazlliç, dhe më pas nga qindra persona të tjerë. Të gjithë njëzëri kundërshtonin hetimet paraprake, më konkretisht afatet e përfundimit të hetimeve. Bazuar në nenin 325 të Kodit të Procedurës Penale, me titull ankimimi për zgjatjen e afatit të hetimeve, shumë persona kanë kundërshtuar organin e prokurorisë. Neni 325 flet se i pandehuri dhe i dëmtuari kanë të drejtë, brenda dhjetë ditëve nga njoftimi, të bëjnë ankimim në gjykatën e rrethit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve. “Ankesa shqyrtohet nga gjykata brenda dhjetë ditëve, duke u dëgjuar i pandehuri, mbrojtësi, i dëmtuari dhe prokurori. Kur gjykata pranon ankesën, hetimet nuk mund të vazhdojnë, ose vazhdojnë vetëm për një afat të caktuar nga ajo. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankimim, i cili nuk pezullon hetimin”, thuhet në këtë nen, i njohur në opinionin publik vetëm nga rasti “Basha”, ku Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm vetëm me procedura. Por në rastin Fazlliç, prokuroria pretendonte se e kishte arsyetuar shtyrjen e hetimeve, pasi disa shtete ende nuk kanë sjellë letër-porositë.
Rastet
Krahas precedentit “Basha”, prokuroria është akuzuar se ka mbyllur shumë procedime penale, pasi pretendon se nuk ka prova. Njëri prej paditëse është shtetasi Xhevat Zeneli, i cili kishte denoncuar në prokurori që të fillonte hetimet ndaj të dyshuarve si vrasës së të birit Endri Zeneli, në Itali. Megjithëse Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar procedimin penal, ai ishte mbyllur vetëm pas disa verifikimesh. Ankuesi pretendonte se prokuroria nuk ka marrë deklarimet e personave që kanë qenë dëshmitarë, të cilët do të ndihmonin për zbardhjen e ngjarjes. Në këtë rast, Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë ankuesit, duke urdhëruar gjykatën që të rihapë hetimet për këtë ngjarje.
#