Haiti, 10 amerikanë akuzohen për trafikimin e paligjshëm të fëmijëve
Arrestohen trafikantët e paligjshëm që kërkonin të merrnin 33 të mitur
Dhjetë qytetarë amerikanë janë arrestuar nga policia e Haitit, ndërsa në kaosin pas tërmetit në vend po kërkonin të merrnin nga vendi 33 fëmijë për t’i përfshirë më pas në ndonjë rreth adoptimesh të paligjshme. Sipas raportimeve nga vendi karaibik, grupi që përbëhej nga pesë burra dhe pesë gra u ndalua një ditë më parë në kufirin mes Haitit dhe Republikës Dominikane. Dhjetë amerikanët, aktualisht në gjendje arresti, sipas autoriteteve të Haitit nuk kishin dokumente që mund të tregonin për praktikat e rregullta të adoptimeve për 33 fëmijët me moshë nga 2 deri në 12 vjeç. Një prej të arrestuarve ka pranuar se bënte pjesë në një organizatë të quajtur “New Life Children's Refugè”, me seli në shtetin amerikan të Idahos. Gruaja ka mohuar të ketë bërë ndonjë veprim që kundërshton ligjet. Ministri haitian i Punëve Sociale, Yves Cristalin, nga ana e tij ka thënë se “kjo çështje po zhvillohet në kundërshtim me procedurat ligjore. Asnjë fëmijë nuk mund të largohet nga Haiti pa një autorizim të rregullt dhe këta persona nuk kishin asnjë autorizim”, ka shtuar ai. Laura Sillsby, gruaja që bën pjesë në organizatën me seli në Idaho, nga qelitë ka mundur të shpjegohet për agjencinë “Reuters”, duke thënë se “ishim të autorizuar nga qeveria e Republikës Dominikane t’i çonim fëmijët në një jetimore tonën në atë vend. është një pastor në kryeqytetin e vendit që drejtonte një jetimore, e cila u rrëzua nga tërmeti. Ai na kërkoi që t’i çonim fëmijët në Republikën Dominikane”. Gruaja ka thënë gjithashtu se për praktika burokratike u kthye në Haiti një ditë më pas. Pas tërmetit të 12 janarit, autoritetet e Haitit kanë bllokuar pjesën më të madhe të adoptimeve, sepse janë të bindur që shumë fëmijë janë larguar nga vendi në mënyrë krejtësisht të parregullt.
#