Partizani e nis javën me vrapime, mendja nesër te gjyqi
Nga ILIR CARA
Të kuqtë e kryeqytetit dje kanë kryer seancën e radhës në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, por vëmendja e Partizanit mbetet diku tjetër, nga ku varet edhe e ardhmja. Pikërisht bëhet fjalë për seancën e radhës në Gjykatën e Apelit, seancë e cila zhvillohet nesër, ku edhe pritet të jepet një vendim për sa i përket logos së Partizanit. Përgatitjet për sezonin e ri janë formale, ku për momentin vijohet vetëm me vrapime nga Kodrat e Liqenit, ritual i cili është ndjekur edhe dje me një grup të reduktuar. Dje ka pasur edhe një mbledhje të stafit, ku është diskutuar pë rrugën që duhet ndjekur, por edhe ata nuk janë të qartë se çfarë duhet të bëjnë, pasi gjërat nuk janë në dorën e tyre. Kjo për faktin se nuk dihet se si do të jetë e ardhmja, sepse bëhet fjalë për Partizanin e administruar nga Ministria e Mbrojtjes, apo me atë të administruar nga shoqëria tregtare Partizani sh.a me administrator Albert Xhani.
