Përgjaket gjykata në sy të gjyqtares, bashkëshorti dhunon të shoqen që kërkonte mbrojtje
Dhuna ndaj grave nuk njeh të ndalur edhe kur personat janë të pranishëm në një sallë gjyqi. Para pak kohësh ishte gjykata e Lezhës që u përgjak nga një përplasje e dhunshme, kësaj here është gjykata e shkallës së parë në Fier që është mbuluar me gjak pasi një person ka dhunuar ish-bashkëshorten e tij, e cila po kërkonte një urdhër mbrojtje ndaj tij. Sipas Shqip, ngjarja ka ndodhur në zyrën e gjyqtares Irena Maneku. Ndërsa kjo e fundit po i komunikonte urdhrin e mbrojtjes babait të dy fëmijëve, Anesti Mëngjesit nga Pojani, ai ka goditur të shoqen duke ia përplasur kokën për muri. Në sallë ishin edhe fëmijët që kanë nisur të qajnë. Forcat e policisë kanë ndërhyrë, kurse Zhaneta e dhunuar është shoqëruar në spital ku ka marrë mjekim. Ndaj Anestit është shtuar akuza për plagosje të lehtë me dashje.