E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Asamblesë së NATO-s: Si i keni hallet këtu në shtëpi? Topalli: Brukseli na ka me sy të mirë

Share

Në Tiranë po zhvillohet një konferencë e rëndësishme e NATO-s për atë që njihet me emrin Mbrojtja e mençur (Smart Defence).

Vetë presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Karl Lamers, ishte i pranishëm dhe mbajti një fjalim interesant. Sipas tij, Mbrojtje e mençur do të thotë të nxjerrësh vlerën më të mirë të parave. Ai shtoi se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të mbajnë të gjithë kapacitetet luftarake. Sipas tij, 70 përqind e shpenzimeve për mbrojtjen në NATO janë të SHBA. Ndërkohë shtoi se në vitin 1990 këto shpenzime ishin 60 përqind nga ana e SHBA. Por ministri ynë i Mbrojtjes, Arben Imami, që po zhduk anije për skrap e po bën gati bazat detare për shitje, normalisht që ia di mirë vlerën parasë. Shpenzimet tona në Afganistan janë të dytat për nga madhësia nisur nga të ardhurat për frymë, tha krenar ai, duke rrëzuar krejt mbrojtjen e zgjuar.

Por edhe pse u fol shumë për mbrojtjen e zgjuar, presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s duket se e ka pasur shqetësim gjendjen brenda në Shqipëri. Gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit ai është interesuar dhe Topalli i ka thënë se situata është shumë mirë. Në përgjigje të interesit të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kryetarja e Kuvendit bëri një rezyme të zhvillimeve politike në vend. Znj. Jozefina Topalli vlerësoi se tashmë ka një bashkëpunim midis opozitës dhe mazhorancës për të çuar përpara reformat e integrimit, ku në fund të këtij muaji pritet të mbyllen tre reforma të rëndësishme, ajo zgjedhore, parlamentare si dhe ligji për gjykatat Administrative. Me tejkalimin e bllokimit dhe bojkotit të opozitës, vlerësoj se Brukseli ka një perceptim pozitiv për Shqipërinë. Ne të gjithë po punojmë fort dhe jemi optimistë për procesin e reformave të integrimit, në mënyrë që vendi të meritojë statusin e vendit kandidat u shpreh Kryetarja e Kuvendit, thuhet në një njoftim të Kuvendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›