Rinasi si han me dy porta, shkarkohet shefi i komisariatit. Oficerja: Shefi i hetimit më detyroi të kaloja kosovarët
Gëzim Prebibaj, shef i komisariatit të Rinasit, është larguar nga detyra pas skandalit të kalimit të klandestinëve. Ai është komanduar në komisariatin e Kavajës. Në vend të tij është emëruar Ilir Gjoçi, shef i komisariatit 5 në Tiranë.
Skandali përfshiu para pak ditësh komisariatin e Rinasit, pasi u zbulua se kosovarët kalonin klandestinë në atë që quhet aeroport i sigurisë së lartë.
Ndërkohë një oficere e Rinasit ka rrëfyer se si është detyruar të kalojë klandestinët kosovarë. Etleva Kadillari ka raportuar në një informacion me shkrim, drejtuar drejtorit rajonal të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë. Raporti është publikuar nga e përditshmja Shqip.
Rreth orës 14:30, i ka shkuar në kabinë shefi i seksionit të hetimit, Astrit Gjonpali, dhe i ka thënë se ti do të rrish të punosh sot deri në orën 19:00, pasi unë do të kaloj dy persona nëpërmjet teje. Kur Etleva e ka pyetur se kush janë këta persona, ai i ka thënë se ishin disa njerëz të tij. Kur Etleva e ka kundërshtuar të kryejë këtë veprim, Astriti i ka thënë asaj se ti do të rrish në punë se sbën, sepse do vijnë dy kosovarë dhe do të kalojnë te ti. Etleva nuk ka pranuar tia kryejë këtë gjë Astritit. Në përfundim të turnit, ajo ka shkuar në zyrë të dorëzonte vulën, ku aty ka gjetur shefin e seksionit operacional, Munir Shira, i cili i ka thënë përgjegjëses së turnit Nirda Dushi se duhet të rrinte një kontrollor pasdite se do të kishte fluks dhe se për këtë do të bënte shënim në librin e shërbimit. Etleva shpjegon se për shkak të kërkesës së shefit të seksionit operacional, ajo ka vazhduar shërbimin në kabinat e daljes dhe aty kanë ardhur dy shtetasit, për të cilët i kishte thënë porosi shefi i seksionit të hetimit. Në deklarimin e saj, të dhënë më 29 shkurt 2012 ajo ka sqaruar se i ka lënë të kalojnë dy shtetasit pasi kishte ndërhyrë Astrit Gjonpali, thuhet në raport.