E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket sërish Bagdadi

Dy sulme vetëvrasëse me autobombë kanë tronditur sot ministrinë e Drejtësisë dhe zyrat provinciale në qendër të Bagdadit, me çrast humbën jetën së paku 91 persona dhe nxitën trazira në kryeqytetin e Irakut.

Rreth 600 persona tjerë u lënduan si pasojë e këtyre sulmeve, të cilat ndodhën brenda një periudhe kohore prej disa minutave. Shpërthimet shkatërruan me dhjetëra automjete.

Autoritetet mbyllen rrugët përreth vendeve të ngjarjes. Njëri sulm ndodhi në afërsi të një udhëkryqi të frekuentuar, në afërsi të ministrisë së Drejtësisë dhe të Punës, ndërsa sulmi i dytë ndodhi para zyrave të qeverisë provinciale në lagjen Salhijeh.

Së paku 90 persona janë vrarë, ndërsa mbi 632 të tjerë janë lënduar, kanë njoftuar katër spitale në Bagdad, të cilat kanë pranuar kufomat dhe të lënduarit.

Pak kohë pas sulmeve, kryeministri i Irakut, Nuri Al Maliki, vizitoi vendin e sulmit në lagjen Salhijeh, ku u takua me zyrtarë, por nuk bëri ndonjë deklaratë publike.

Sulmet ndodhën pikërisht në momentin kur udhëheqësit politik në Irak kishin planifikuar të takoheshin, në përpjekje për ti dhënë fund ngecjes në lidhje me ligjin e bllokuar zgjedhor, gjë që mund të imponojë vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat është paraparë të zhvillohen më 16 janar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›