Pergjaket viti i ri ne Egjipt

Të paktën 17 persona kanë mbetur të vrarë në një kishë në qytetin egjiptian të Aleksandrisë, si pasojë e një shpërthimi të kryer nga një atentator vetëvrasës.
Të paktën 43 persona të tjerë mbetën të plagosur nga sulmi, që ndodhi teksa besimtarët po përfundonin ceremoninë e vitit të ri në kishën Al Qidisen, pak momente pas mesnatës.
Grupe të krishterësh dhe myslimanësh u përleshën pas sulmit, por policia ndërhyri duke përdorur gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat.
Presidenti Hosni Mubarak u bëri thirrje qytetarëve egjiptianë që të bashkohen kundër terrorizmit. Në një fjalim televiziv ai fajësoi “duart e huaja” për atentatin.
“Terroristë të këqinj vunë në shënjestër kombin, të krishterët dhe myslimanët. Ky është një operacion terrorist, ndaj të cilit ne s’kemi dijeni. Por ne do t’ia presim kokën gjarpërit, do të përballemi me terrorizmin dhe do ta mposhtim atë”, ka deklaruar Mubarak.