E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigje një fletërrufeje!

BILAL KOLA

As do kisha marrë mundimin ti përgjigjesha shkrimit meskin, sipërfaqësisht cinik për nga qasja dhe thelbësisht trashanik për nga përmbajtja, të deputetit të PD-së, Fatbardh Kadilli, i botuar të premten e shkuar në Panorama në lidhje me letrën që një grup të përndjekurish i drejtoi Kryeministrit, bashkautor i së cilës isha edhe unë, n.q.s. ky opinionist i PD-së, i cili opinion-bërjen e ka tashmë profesion të vetëm, pasi bashkë me shumë kolegë të tij ka dështuar katërcipërisht në ushtrimin e kompetencave të deputetit, nuk do të na kishte etiketuar ne, autorëve të asaj letre, midis të tjerave, si një numër të vogël individësh të keqpërdorur apo të keqformuar.
Jo se mua personalisht më impresionojnë etiketime të tilla nga njerëz të tillë, pasi jeta më ka injektuar një dozë të lartë imuniteti (vetë jam lindur dhe rritur në internim deri 18 vjeç, im gjysh, vëllezërit e tij dhe xhaxhallarët e mi janë pushkatuar pa gjyq pasi strehonin në shtëpi misionet ushtarake britanike, pjesa tjetër e familjes është internuar nga 19451991, im atë është katapultuar për herë të dytë në burgun famëkeq të Burrelit kur unë isha vetëm 2 vjeç etj.). Por ajo që dua të ndaj me opinionin publik në këtë përgjigje ndaj fletërrufesë së këtij deputeti, është një fakt interesant ekziston një simetri perfekte midis etiketimeve që kam dëgjuar përgjatë fëmijërisë dhe rinisë sime të hershme për vete apo të tjerë të shtresës sime nga veglat e terrorit komunist dhe etiketimit fletërrufe të kamikazit të ish-sekretarit të partisë!
N.q.s. ky inkompetent na etiketon ne, autorëve të letrës, si të keqpërdorur apo të keqformuar se i kërkojmë shefit të tij, jo në cilësinë e kryetarit të partisë që i ka keqpërdorur politikisht në mënyrën më cinike interesat e të përndjekurve politikë, por në cilësinë e titullarit të ekzekutivit – i cili në një republikë parlamentare si kjo jona e ka për detyrë kushtetuese të zbatojë vendimet e Parlamentit (në rastin konkret vendimin që mori Komisioni i Ligjeve, ku disa deputetë me integritet të PD-së votuan pro nismës së opozitës për uljen e moshës së përfituesve të ish-të burgosurve politikë nga 85 vjeç, në respektivisht 70 vjeç për gratë dhe 75 vjeç për burrat), duke sanksionuar me ligj uljen e moshës së përfituesve të ish-të burgosurve politikë shëndetshkatërruar, atëherë unë do ti shtroj këto pyetje ish-të përndjekurve politikë dhe mbarë opinionit publik:
- Sa i mirëpërdorur dhe i mirëformuar është ky tip deputeti si dhe shumë kolegë të tij, kur votuan në Parlament ligjin për dëmshpërblimin e plotë financiar të ish-të përndjekurve politikë brenda një periudhe 8-vjeçare dhe aktualisht në fundvitin e 7-të të qeverisjes ende nuk kanë kryer as 1/15-ën pjesë totale të tij? Duhen sqaruar të përndjekurit dhe opinioni publik se me këtë trend dëmshpërblimi financiar përfundon mbas 100 vjetësh.
- Sa i mirëpërdorur dhe i mirëformuar është ky deputet dhe shumë kolegë të tij, kur për shtatë vite në qeverisje nuk bënë një ligj normal për hapjen e dosjeve, bazuar në eksperiencat e vendeve të Europës Lindore, të cilat e kanë bërë këtë gjë 20 vite të shkuara (natyrisht nuk munden, pasi shumë syresh dalin në pension politik dhe/ose largohen nga pozicionet e larta shtetërore nëse hapen dosjet) apo ngritën një vepër monumentale të kujtesës duke stampuar emrat e të gjithë atyre që u pushkatuan, burgosën e syrgjynosën nga regjimi komunist, si dhe duke u dhënë mundësinë të gjithë familjarëve të të përndjekurve dhe mbarë shoqërisë shqiptare të nderonin dhe respektonin në një ditë të shënuar emrin dhe veprën e të përndjekurve politikë?
- Sa i mirëpërdorur dhe i mirëformuar është ky deputet dhe  kolegët e tij që votuan akt- dhurimin e 300 km2 territor ujor shqiptar?
Ah po, sa për insinuatat bajate se lideri i opozitës bën pjesë tek ata që kryen krimet ndaj ish-të përndjekurve dhe kryedemokrati është shpëtimtari i kësaj shtrese, këtë butaforizëm nuk ka patericë propagandistike ta mbajë në këmbë, por saktësisht të kundërtën po e shohin dhe e prekin tash e 21 vjet të përndjekurit qëkur njëri prej tyre që në ditët e para të pluralizmit, në përputhje me bindjet e tij liberale, kërkonte lirimin e të burgosurve politikë dhe tjetri, po në përputhje me bindjet dhe statusin e tij prej më shumë se dy dekadash si komunist e sekretar partie, atëherë me fjalë dhe sot e gjithë ditën me vepra na etiketon si llumi i shoqërisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›