E Diel, 1 Nëntor 2026

Tototo e zamzamzam, nuk të bëjnë europian

ARTUR LAZEBEU

Pavarësisht ndjeshmërisë ndaj çështjes së ditës për denoncimin e homofobisë, pse jo, duke e shkëputur atë nga subjekti LGBT, mandej duke e zhvendosur këndvështrimin qëllimisht më ngultas ndaj homofobisë politike, sociale, ekonomike, brenda dhe jashtë llojit të gentes që popullon Civitasin tonë  albanicum (të rrokur nga vala shtetndërtuese e res-publicas, ku e ku përpara kryeishullit të Mbretërisë së Bashkuar!!!), nuk do të doja të kalonte pa u ndier, qoftë edhe nga një koment modest, një artikull i sekretarit Britanik për Drejtësinë, Kenneth Clarke, botuar këto ditë në shtypin tonë. Në cilësinë e përfaqësuesit të vendit të tij, deri në maj të këtij viti – Kryesues i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, dinjitari britanik artikulonte një nevojë thuajse emergjente për mirëfunksionimin e sistemit të të drejtave të njeriut, duke apeluar për këtë qeveritë e 47 shteteve anëtare të Këshillit të Europës. Si për ta peshuar theksin mbi problemin e ngritur, sekretari Britanik bashkëshoqëronte në argumentin e tij, dyherazi madje, faktin, por edhe fatin e 800 milionë njerëzve (ku përfshihet edhe gjindja jonë), që jetojnë nën strehën e kontinentit të vjetër. Po ku godiste z. Clarke? Për kë binin tam-tamet e logjikës së thjeshtë, me gjuhën po aq të thjeshtë të ministrit britanik? Duke përmendur numrin e rritur të rasteve ende të pazgjidhura nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, shqetësimi ngrihej mbi ngarkesën e madhe të kësaj Gjykate, e cila përfaqëson mekanizmin kryesor, garantues për zbatimin e Konventës. Kjo mbingarkesë rrezikon seriozisht edhe qëllimin për të cilin është ngritur ky mekanizëm, saktësisht dhënien e drejtësisë së jashtëzakonshme për qytetarët e zakonshëm të kontinentit. Më tej, duke qenë se kohëzgjatja e çështjeve më të rëndomta gjyqësore, si ato për procese të parregullta ligjore apo edhe për cenim të lirisë së shprehjes, ka arritur në një mesatare prej pesë vjetësh dhe kjo është vërtet alarmante. Jo thjesht dhe vetëm për faktin e lirisë së vonuar e njëkohësisht të munguar të aplikantëve, por mbi të gjitha për efektivitetin e vendimeve të saj, të cilat janë parashikuar të japin mesazhin e shpatës së Damokleut mbi arrogancën e qeverive kombëtare. Thënë ndryshe, kjo Gjykatë synon ti mbajë dorën e arbitraritetit politikanit, ligjvënësit, administratorit publik, prokurorit, gjykatësit, pse jo edhe avokatit lokal. Pra, edhe syresh në Shqipëri, në mënyrë që me paaftësinë a indiferencën e arrogancës sonë, të mos e penalizojmë më tutje shtetin tonë, i cili edhe pa këtë ndihet tejet i kufizuar në mundësi. Punë takati-jo inati, thotë zanati. Por ka edhe një moment tjetër, ku përfaqësuesi i Drejtësisë europiane tërheq vëmendjen. Ai nuk heziton të përsërisë një shqetësim të kahershëm të Këshillit të Europës, për një aktivizëm më të madh e më efikas të strukturave kombëtare për të drejtat e njeriut, në mënyrë që edhe këto të funksionojnë si pjesë e sistemit, për çka edhe paguhen. Këto struktura te ne përfaqësohen nga organe kushtetuese apo të ngritura me ligj, si puna e Ombudsmanit, ajo e Komisionerit për Mosdiskriminimin, e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Këto kryesisht, jo OJF-të, jo si OJF-të! Këshilli i Europës ka investuar dhe investon që këto zyra të luajnë rolin e tyre, jo me tototo e zamzamzam-unë jam europian, por mbi të gjitha me ndërmjetësimin efektiv të hallit të individit tek administratat përkatëse, sipas juridiksionit të tyre specifik. Natyrisht, janë organet e qeverisjeve qendrore dhe vendore ata që u japin përgjigje rekomandimeve të strukturave kombëtare, për pasojë edhe zgjidhje problemeve të qytetarëve. Edhe zhurma bën punë, por kjo është më shumë punë e OJF-ve dhe medies. Inercia është inerci, por ndërmjetësimi nuk bëhet me bori, përndryshe na rroftë vetëkrekosja dhe karshillëku i zengjinit të ri, më keq akoma – ngritja e mendjes miletit se mund të bësh edhe atë që ligji sta njeh, kur nuk realizon dot as atë që ta njeh. Herët a vonë edhe veten do të gënjesh, por më e hidhura, edhe njerëzit do ti zhgënjesh. Duke u ngritur mendjen njerëzve, i bie të bësh demagogun, por edhe këtu je duke luajtur në ager publicus të tjetërkujt. Afërmendsh, kjo pason vetvetiu, në mbingarkesë të rasteve dhe pas kësaj, kur vjen puna për mjetin ndërmjetësues, pra rekomandimin, pa folur për zbatueshmërinë e tij, me gjasë gjithçka rrezikon të reduktohet në pasiguri, qoftë edhe për të firmosur. E kur mëdyshja të frenon, nuk të ngelet veçse ta kompensosh këtë,  duke vënë kujën apo rrahur ujë në havan, qoftë edhe me turlilloj raportesh alla OJF, në afirmim të rrekjes se unë jam europian. Urime b… e zgjuar! Një këshillë miqësore kjo, thjesht dhe vetëm nga respekti për arritjet e atyre kolegëve që u ka rënë për pjesë të merren prej vitesh me problematikën e indiferencës së administratës publike shqiptare ndaj taksapaguesve. Një gjë rezulton në marrëdhëniet publike me qytetarin shqiptar, të durueshëm deri në vetëmohim, qoftë edhe për votat e pakushtëzuara, të djegura sikurse dhe kontributet e zeruara, respektivisht për të preferuarit politikë: qytetari shqiptar, pa dallim race a orientimi seksual, nuk ka nevojë për konak me nga pas një dajak. Tjetër gjë pritet nga ata zyrtarë a punëtorë të të drejtave të njeriut, të cilët në çfarëdo pozicioni qofshin, i kanë dhënë e japin jetë institucionalizimit të të drejtave të njeriut, duke brendësuar në konceptin e shtetarëve parimin se mirëqeverisja është një e drejtë njerëzore, e cila për fat ka më shumë se një garant që del mbi sovranitetin apo autoritetin e qeverive nacionale të radhës a të ditës, në dritë a në hije qofshin. Instrumenti kryesor është Gjykata Europjane e të Drejtave të Njeriut, jurisprudenca e së cilës mban një sy edhe mbi pavarësinë e gjyqësorit lokal, edhe mbi profesionalizmin e administratorit lokal, edhe mbi qafën e kollarisur të politikanit a zyrtarit vanitoz, gjithashtu lokal. Të emëruar apo zgjedhur aty, nuk ka rëndësi se si, ku merren vendime për fatin e përditshmërisë njerëzore, që na prek të gjithëve pa diskriminim.
Në maj të këtij viti, stafetën e kryesimit e merr Shqipëria. Cili do ta pasojë z. Clarke? Do të na takojë edhe ne të ngremë zërin për të njëjtën gjë. Jam i sigurt për këtë, pasi këtu e disa muaj më parë, kushtimisht e kam përcjellë në vetë të parë këtë shqetësim ndërkombëtar, për publikun tonë, për politikën tonë, për realitetin tonë kombëtar. Me sens kritik, por edhe autokritik madje. Në gazetën Panorama, nën titullin Fuqia e pafuqisë së Ombudsmanit. Asokohe, kur Avokatin e Popullit, pingpongu i politikës së dritëhijes rrezikonte ta katandiste mu si ato pronat publike të braktisura deri në zhvlerësim, të destinuara për tiu ofruar profesionalisht blerësit me/më të parë. Ishte edhe kjo një arsye ndoshta përse ripërjetova të njëjtin ngacmim, personal dhe publik, për më tepër të rimarrë e trajtuar aq kthjelltësisht nga sekretari Britanik i Drejtësisë. Realisht kemi të bëjmë me një ndër përgjigjet e shumta ndaj së njëjtës pyetje, që na pulson prej 100 vjetësh: si do ta kemi shtetin që mëtojmë të ndërtojmë?
Në proces kemi Gjykatën Administrative, gjithashtu të shpërfillur gjer më tash pa pikën e qarit a qelepirit financiar e politik bashkë, përkundrazi. Pa folur për zgjedhjen e Presidentit. Njëzet e kusur vjet politikë intensive mendoj se do të ishte vetëzhvlerësim për politikanët që ti lejonin vetes ndonjë eksperiment katapultimi klientelist të kreut të shtetit nga jashtë radhëve të tyre. Ndonjë tjetër smart ass a kumbarë të llojit zamzamzam-jam europian! Por kjo është një temë tjetër, sado që lidhet disi me sa më sipër.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›