Siria pas Assadit
Derisa “Pranvera arabe” e njëmendtë ende nuk është materializuar (përkundrazi, disa prej liderëve autokratë të rajonit duket se janë duke u kënaqur në verën indiane), ekziston rreziku i madh, të paktën në disa shtete, për një “dimër kaosi”
Qëndrimi që mbizotëronte në Perëndim se “Pranvera arabe” shënon një hap të qartë drejt lirisë dhe demokracisë në Lindjen e Mesme, tani duket i parakohshëm. Ideja mbase ishte e bazuar në dëshirat e mira, duke mos i përfillur realitetet që aktualisht janë duke i formësuar ngjarjet. Madje edhe një vit më pas, është e pamundur të arrihet një konstatim definitiv – gjendja është ende e paqartë dhe liderët e rinj mbesin të panjohur. Në të vërtetë, liderët e rinj që kanë marrë pushtetin në disa shtete nuk kanë qenë në gjendje ta realizojnë atë për të cilën shpresonin njerëzit, kur dolën nëpër rrugë. Pra, derisa “Pranvera arabe” e njëmendtë ende nuk është materializuar (përkundrazi, disa prej liderëve autokratë të rajonit duket se janë duke u kënaqur në verën indiane), ekziston rreziku i madh, të paktën në disa shtete, për një “dimër kaosi”. Kjo vlen në veçanti në Siri, ku një regjim kriminal po mundohet ta mbajë pushtetin në çfarëdo forme dhe me të gjitha mjetet. Brenda, Qeveria e presidentit Bashar al-Assad po mundohet t’i qetësojë njerëzit, duke u dhënë premtime të rrejshme për reforma dhe duke i portretizuar protestuesit si terroristë të kontrolluar nga jashtë. Jashtë, furnizuesja kryesore me armë e Sirisë, Rusia, është duke e mbrojtur regjimin. Referendumi i turpshëm i Assadit për reforma kushtetuese nuk u ka dhënë fund vrasjeve jodiskriminuese të mijëra protestuesve dhe civilëve të pafajshëm.
Tek bashkësia ndërkombëtare, Assadi e ka humbur tërë legjitimitetin që i kishte mbetur. Madje edhe Liga arabe ka dënuar të bëmat e tij, duke e suspenduar anëtarësinë e Sirisë gjatë nëntorit të kaluar. Ndërkohë, Perëndimi është duke i përforcuar sanksionet, derisa janë shtuar zërat për një ndërhyrje ushtarake si në Libi. Në fund, po qe se Rusia dhe Kina nuk i japin fund përkrahjes së tyre për regjimin e Assadit, ato do të pësojnë humbje masive të reputacionit të tyre në botën arabe. Me gjithë përpjekjet e tij agresive për ta mbajtur kontrollin, ditët e Assadit në pushtet janë të numëruara. Pyetja e vërtetë nuk është nëse regjimi do të rrëzohet, mirëpo se kur do të rrëzohet. Është ky një lajm i mirë për botën, mirëpo nuk ka garanci se ndryshimi i regjimit do të zgjidhë problemet e Sirisë. Përkundrazi, disa prej problemeve mund të shtohen. Çështja më kritike është si të ruhet stabiliteti politik në rajon. Siria ka qenë rrezik serioz për shumë vjet. Ajo e ka armatën e dhjetë për nga madhësia në botë, derisa në arsenalin e saj ndodhen edhe armë kimike. Me gjithë mohimet zyrtare, Siria po ashtu është munduar ta zhvillojë një program sekret bërthamor, me ndihmën e Koresë Veriore. Nën udhëheqjen fisnore të Assadit, ky shtet është bërë një prej aleatëve kryesorë të Iranit dhe pikë e rëndësishme për terrorizmin ndërkombëtar.
Raportet midis Sirisë dhe Iranit tashmë kanë pasur ndikim shkatërrimtar mbi rajonin. Me Gardën e tij Revolucionare, ajatollahu Ruhollah Khomeini, që kishte qeverisur Iranin gjatë viteve tetëdhjetë, përforcoi “Hezbollahun” shiit përgjatë kufirit sirian-libanez, si mjet për ta përhapur ideologjinë e tij islamike në mbarë rajonin. Nëpërmjet aleancës së tyre me “Hezbollahun”, Siria dhe Irani e mbajtën Libanin në paqartësi politike për gati njëzet vjet. Më 2005, ish-presidenti libanez, Rafiq al-Hariri, u vra, kur automjeti i tij zyrtar u shkatërrua në një shpërthim në Bejrut. Hetimet e mëpastajme të OKB-së bënë të ditur se kishte dëshmi të fuqishme se shpërthimi ishte shkaktuar nga pjesëtarë të “Hezbollahut”, të cilët në manifestin e vitit 1985 e deklarojnë se kanë synim “asgjësimin përfundimtar” të Izraelit dhe të cilët tani janë bërë shtet brenda shtetit, duke qenë në gjendje të përcaktojnë politikat e Qeverisë libaneze dhe ta zgjedhin kryeministrin.
Për më tepër, në Siri ky grup terrorist tani ka gjetur vendstrehim të sigurt. Nga shtëpia e vet e re, “Hezbollahu” tani ka qenë në gjendje që të përgatisë sulmet mbi Izraelin dhe Perëndimin, përfshirë luftën kundër Izraelit më 2006, sulmet me autobombë mbi diplomatët izraelitë në Indi e Gjeorgji, si dhe sulmet ndaj institucioneve perëndimore e hebraike në shtetet e largëta, si në Argjentinë. Një “Pranverë siriane” do të jetë e rrezikshme, po qe se rezulton me një shtet të dështuar. Duke pasur parasysh tensionet tashmë të larta midis shumicës sunite dhe pakicës alavite-shiite qeverisëse të Assadit, rreziku është bukur i madh. Ata që kërkojnë ndryshime do të kenë pritje të mëdha dhe jorealiste për një qeveri të re, e cila në anën tjetër do të jetë e kufizuar për shkak të interesave të kundërta të protagonistëve kryesorë. Me një shtet të dështuar, armiqtë e lirisë nuk do të jenë edhe aq të interesuar të krijojnë një rend të ri që merret me lirinë, sigurinë dhe mirëqenien e njerëzve. Në vend, kaosi dhe trazirat civile do t’i mundësojë elementeve të korruptuara të Sirisë që të mbajnë dhe të zgjerojnë aktivitetet, si zhvatja apo trafikimi i drogës apo armatimit. Dhe, ashtu si në Irak, regjimi iranian do të mundohet ta shfrytëzojë secilin rast për të vënë në rrezik ndryshimet demokratike në Siri, regjimi shumëvjeçar i së cilës – posaçërisht ushtria – nuk do të zhduket brenda natës.
Për ta shmangur kaosin politik dhe eskalimin rajonal që është parë në shtetet e tjera arabe kohët e fundit, është tejet me rëndësi që secila qeveri e re siriane t’i japë fund rolit të këtij shteti si portë hyrëse për ndikimin iranian në Lindjen e Mesme. Natyrisht se Izraeli nuk do jetë në gjendje të qëndrojë duarkryq, po qe se kaosi në një shtet fqinj kërcënohet të shndërrohet në rrezik të përhershëm për sigurinë e tij. Fqinji më i rëndësishëm i Sirisë, Turqia, do të duhej të bënte një zgjidhje: ose të vazhdojë ta marrë me të mirë Iranin (partnerin e rëndësishëm tregtar), ose të veprojë për të mirë të paqes dhe stabilitetit, si në Siri ashtu edhe në rajon. Regjimi terrorist i Assadit duhet të marrë fund, mirëpo edhe ajo që ndodh më pas duhet të trajtohet me kujdes. Është fjala për stabilitetin e mbarë rajonit.
Autori është president i Kongresit Botëror të Hebrenjve. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate”