Katari, superfuqia e vogël
Skena zhvillohet në 23 qershor të 2009 në sallën e konferencave të bashkisë së Parisit. Shkëlqesia e tij, Hamad bin Khalifa al Thani, emir i Katarit, pritet nga një tapet i kuq. Jashtë policia që qëndron gatitu. në qiell fluturojnë helikopterë dhe ka postblloqe në të gjithë rrugët afër bashkisë. Në një moment të takimit me Kryebashkiakun Bertrand Delanoe, dhe miku i tij ulen dhe flasin për buliminë e investimeve në emiratin e vogël, që i ka ngulur sytë në pesha të rënda të ekonomisë europiane si marka e makinave Porsh, firma energjetike Suez dhe banka Barclays. Princi trashëgimtar Tamim, i biri i përzgjedhur i emirit, ndërhyn me një buzëqeshje enigmatike: “duhet të dini që në këto momente jemi duke i blerë kuajt tonë nga egjiptianët dhe perlat tona nga India”. Me një sipërfaqe 11.500 kilometra katrorë dhe një popullsi prej 1.9 milion banorësh (85 % e përbërë nga punëtorë të huaj), Katari ka masën e një xhuxhi, ndërsa është një gjigant në planin diplomatik dhe ekonomik. Falë të ardhurave nga industria e gazit, një nga më kompetitivët në botë, Doha mund t’i lejojë vetes një politikë ndërhyrëse në 360 gradë. Përpos faktin që ka fituar të drejtën për të organizuar Botërorin 2022, Katari ka blerë skuadrën e futbollit Paris Saint-Germanin. Ka blerë 5 % të kapitalit të bankës Santander në Brazil, që është një nga institutet më të rëndësishëm të kredisë në Amerikën Jugore, ka ringritur shoqërinë e produksionit të filmave Miramax, që ishte vënë në shitje nga Disney, dhe ka vendosur më shumë se 1 miliardë dollarë fonde në Indonezi.
Në të njëjtën kohë Katari ka marrë një rol të rëndësisë së parë në revoltat arabe të 2011, duke çuar në bombarduesit dhe gjuajtësit e saj Mirage, e forcat e saj speciale në ndihmë të kryengritësve libianë dhe kundër Bashar al-Assad, diktator i Damaskut. Më një aktinizëm frenetik që ka si zëdhënës tv Al Jazeera, fuqia mediatike është baza e ndikimit të zhvilluar nga Doha.
Perla dhe kuajt – Për të kuptuar ngritjen e dinastisë Al Thani ne duhet të rikthehemi, siç thotë princi Temim, në epokën e perlave dhe të kuajve. “Për banorët e Katarit perla është shumë e rëndësishme”, shpjegon këshilltari i bashkisë së Parisit. “Katariotët kanë një rivalitet historik me sheikët arabë dhe maraxhatë indianë që i marrin pasuritë e Katarit”. Në vitet 80 sheiku Hamad, që atë kohë ishte princi trashëgimtarë, pati një eksperiencë që i la një shenjë. Gjatë udhëtimit nëpër Europë, agjenti i kontrollit të pasaportave në aeroport i valëviti në fytyrë dokumentin dhe me një buzëqeshje ironike i tha: “Po ku bie Katari? Ekziston me të vërtetë”. I ndjerë keq, emiri i ardhshëm u përbetua se një ditë të gjithë do të njihnin vendin e tij. Arma e tij do të ishte North Dome, që është pasuria më e madhe e gazit natyror në botë, që është mes ujërave territoriale të Katarit dhe atyre të Iranit. Babai i Hamad, emiri Khalifa, nuk donte të investonte në gaz sepse kishte frikë të përballej me Iranin apo të mërziste Arabinë Sauditë/ Prandaj në 1995, në moshën 45 vjeçare, i padurueshmi Hamad përfitoi nga fakti që babai ishte me pushime në Zvicër për të marrë pushtetin dhe të lëshonte një proces modernizimi me etapa të forcuara.
Hamad kishte frikë që Katari do të kishte fundin e Kuvajtit, që në 1990 ishte pushtuar nga trupat e diktatorit irakian Sadam Husein. Dhe për të këtë arsye vendosi të mbronte krahët. Pas dështimit të puçit të shtetit ai lançoi Tv Al Jazeera. Kanali televiziv ishte profesional dhe në të njëjtën kohë populist, i ashpër me rivalët (siç ishte Egjipti i Hosni Mubarak dhe Arabia Saudite e Mbretit Fahd, që kishte kritikuar grushtin e shtetit në 1995), por bashkëpunues me aleatët. Midis këtyre ishte dhe Libia e Muhamar Gedafit, me të cilin emiri ndante urrejtjen kundrejt fronit saudit. Al Jazeera u bë shpejt Ministria e jashtme e Doha. Në vitin 2003 ndodhi një tjetër ndryshim: sheiku Al Thani i hapi portat Pentagonit, që instaloi midis rërës së Katarit bazën më të madhe amerikane jashtë Amerikës, që do të ishte baza e hedhjes në luftë kundër Irakut dhe Afganistanit.
Në vitet ‘90 emiri kishte marrëdhënie të dobëta me Izraelin, që zgjatën derisa ofensiva izraelite kundër Rripit të Gazës filloi në janarin e 2009. Për të pasur të pakënaqur, Katari filloi të priste opozitarë islamikë të regjimeve të ndryshme në botën arabe si predikatori libian Ali al Salibi dhe algjerianë Abassi Madani, nga telepredikuesi egjiptian Yusuf al Qaradawi deri në tunizianin Rachid Ghannouchi, leader i Ennahda, partisë që fitoi zgjedhjet e fundit në Tunizi.
Midis tyre ishte dhe Osama Bin Laden, armiku numër një, që transmetonte rregullisht mesazhet e tij në Al Jezeera. Objektivi kompleks i kësaj loje aleancash ishte të mbante larg Riadin dhe Teheranin, dhe sigurisht për të mbajtur në kontroll ngushticën e Hormuzit, një shteg i nevojshëm për eksportet e gazit. “Katari është i ulur në një mal floriri, por e di se është i dobët” shpjegon një diplomat i huaj. “Dhe ka kuptuar që nëse do të ekzistojë, duhet të njihet”. Doha mund të kishte ndaluar këtu. Mund të kishte investuar në bonot e thesarit amerikan ose në projekte pronash pa risqe, si në Europën lindore, ku ka blerë pjesë të tëra qytetesh. Një strategji e arsyeshme, megjithëse, nuk mund t’i garantonte një ndikim emirit Al Thani në politikën e Perëndimit. Gjërat kanë ndryshuar me krizën financiare të 2007-08, kur në pak muaj thesarmbajtësit e mëdhenj të planetit u gjendën në vështirësi. Duke parë që Kina dhe Rusia kishin një reputacion jo të mirë ndërkombëtar, korporatat në vështirësi për likuiditet filluan t’ua kërkonin vendeve të Gjirit Persik. Në të njëjtën periudhë industria e gazit katariot filloi të funksiononte me kohë të plotë. një për një, blerësit e mëdhenj të gazit u paraqitën në Ras Lafan, një zonë që gjendet 80 kilometra të veri të Dohas, ku janë impiantet e gazifikimit. “Duke filluar nga ky moment, Katari filloi të investonte në markat prestigjioze si Suez, Vinci apo Harrods, duke ngritur çmimet”, shpjegon një bankier që ka punuar më Dohan. “Pa krizën, situata do të kish mbetur si ajo e 2006”.
Të katër në pushtet – Selia qendrore e kësaj metamorfoze gjende në grataçielën me një kupolë të kaltër, që dominon bregdetin e Dohas. Katar holding, dega e Qatar Investment Authority (Qia) që merret me investimet industriale, ka disa kate të kësaj ndërtese. Dhe këtu filluan të vinin bankierët e huaj, që ishin në vështirësi pas falimentimit të Lehman Brothers në verën e 2008. “Qia është një ndër institucionet e rralla të vendit që punonjësit punojnë si të çmendur”, thotë një njohës i Uest Bay, distrikti i bizneseve në Doha. Aktiviteti frenetik shpjegohet lehtësisht. Ndërsa fqinjët e emiratit të Abu Dhabi vendimet i kanë marra në konsultë nga një numër të pafund vëllezërish e byrazerësh, në Katar personat më të rëndësishëm janë katër, emiri Al Thanim, i biri i tij Tamim, gruaja e dytë e emirit Sheika Mozah, shefi i Katar foundation, dhe kryeministri Hamad bin Jassim al Thani, president i Qia. “Në një vend normal, punët ecin ndërsa qeveria është e ngadaltë”, shpjegon një sipërmarrës katariot. “Ndërsa këtu është e kundërta: janë sipërmarrësit që ndjekin autoritetet”. Etapa e fundit e ngjitjes së “startup Al Thani” është e shënuar nga fillimi i revoltave arabe në 2011. Dëshira e Al Thani është të meritojë një vend mes të mirëve të botës, dhe pozicionim në treg i Al Jazeera - që ka qejf thotë se është zëri i atyre që s’kanë zë – dhe fakti që vendqëndrimi i kolegëve të botës arabe e shtyjnë të hipë në trenin e revolucioneve. “Maroku është tepër larg, Algjeria është tepër e vjetër, Egjipti është i paralizuar nga revolucioni i tij, Iraku është në moçalin e krizës dhe Arabia Saudite është në llogari për pasardhësin”, shpjegon një diplomat i huaj. “Në këtë skenar u hap një gropë që Katari e mbushi”. Por sa mund të durojë akoma kjo diplomaci biznesi? E lëshuar në orbitë nga një njeri me vullnet dhe i ndihmuar nga ngjarjet historike, raketa e Katarit një ditë do të kthehet në tokë.