E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nein, danke!

Pak orë pasi KFOR’i dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë arritën një marrëveshje për zgjidhje të përkohshme të krizës në Veri, Qeveria e Kosovës e refuzoi atë. Marrëveshja parashihte që KFOR’i t’i mbajë nën kontroll pikat kufitare veriore të paktën deri në mesin e shtatorit, por jo edhe zbatimin e reciprocitetit. Qeveria tha se nuk do të ketë kthim prapa. Nga Lirita Halili më 04 gusht 2011 në ora 08:06

Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar një marrëveshje të arritur ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, nëpërmjet të cilës ishte menduar t’i jepej zgjidhje e përkohshme krizës në Veri të vendit.

Pak kohë pasi në bazën ushtarake “Nothing Hill” afër Leposaviqit, komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Buhler, shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic dhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic hartuan një marrëveshje trepikëshe, Qeveria e vlerësoi të papranueshme atë.

Sipas Qeverisë, duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendimmarrje, kjo draftmarrëveshje është e papranueshme dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikëri masat e reciprocitetit me Serbinë. Qeveria e Kosovës mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i. Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria.
Sipas marrëveshjes së “Nothing Hillit”, kufijtë e Kosovës në Veri do t’i kontrollojë KFOR-i deri në mesin e muajit tjetër.

Në pikën e parë të marrëveshjes thuhet se në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinje) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bernjak), sistemi i tanishëm i kontrollit duhet të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit shtator.

“Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare”, thuhet në marrëveshje.

Pika 2 sqaron se veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë. Ndërkaq në pikën e tretë thuhet se bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.

“Për bisedimet, komandanti i KFOR-it ka pasur autoritetin e plotë e të gjitha institucioneve të përfshira. Kryenegociatori Borislav Stefanovic dhe Ministri Goran Bogdanovic do ta koordinojnë marrëveshjen me Presidentin e Serbisë dhe autoritetet tjera të involvuara nga pala serbe. Marrëveshja mund të implementohet gjatë ditëve në vijim”, ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një komunikate. Por, në komunikatë nuk thuhet asgjë për hapat që duhet ndërmarrë pas mesit të shtatorit.

Ndërkohë, Zëvendëskryeminsitrja Mimoza Kusari-Lila ka thënë për KTV se marrëveshja ka të bëjë me largimin e barrikadave nga rrugët. Sipas saj, KFOR-i dhe EULEX-i duhet t’i zbatojnë ligjet e Kosovës. Kusari-Lila ka theksuar se personalisht ka kontaktuar me komandantin e KFOR-it dhe nga ai ka marrë garanci se kamionët që do të lejohet të hyjnë në Kosovë nuk do të bartin mallra komerciale, por vetëm ndihma humanitare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›