E Diel, 1 Nëntor 2026

Pergjigjet zyrtare, kopjohet testi i Maturës, ja provat në Facebook

Arrestohen katër mësuese në Kamzë. Dërgonin me SMS zgjidhjet kundrejt pagesës. Gazeta publikon përgjigjet për të gjitha degët.

Skandali, si kopjuan maturantët në provim.

MASH: Po abuzohet, mundësitë janë minimale. Kishim 5000 administratorë në shkollat e gjithë vendit.

Rrjeti social Facebook tradhton maturantët në provimet e fundit të Maturës. Pavarësisht se rregullorja ndalon kategorikisht përdorimin e celularëve gjatë testimit, duket se ka ndodhur e kundërta.
Situata kësaj here ka dalë jashtë kontrollit. Është hera e parë në 6 vitet e Maturës Shtetërore që skandali merr përmasa të këtij lloji.
Herët e tjera dyshimet kanë qenë sporadike dhe janë kaluar pa shumë bujë. Fillimisht ka qenë Parlamenti Rinor që ka vënë në dispozicion foto të faqeve personale në Facebook të disa maturantëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga shokët e tyre për pyetje në provim. Si për ironi, pyetja e postuar lidhet me arritjet e qeverisë. Njerëz, jam në provim. Më ndihmon dot njeri me këtë pyetjen… Renditni 3 arritjet e qeverise shqiptare, të cilat çuan në liberalizimin e vizave për Shqipërinë, thuhet në postimin e denoncuar. Do të jenë ekspertët që do të verifikojnë nëse kemi të bëjmë vërtet me kopje, apo me ndonjë lojë të maturantëve pas testimit.
Megjithatë, nga sa tregohet në foto, ora kur pyetja e provimit është hedhur si status shënon 12:58, çka përkon me limitet e orarit prej 3 orësh që maturantët kishin në dispozicion për provimet. Fotoja tjetër tregon për hedhjen e tezës së plotë të Anglishtes në Facebook, ndërkohë që në krahun e djathtë janë të renditura komentet që japin disa variante të përgjigjeve. Në faqe të tjera të rrjetit social janë zbuluar statuse ku kërkohet ndihmë për pyetje të ndryshme të tezave.
MASH: Po abuzohet
Ministria e Arsimit ka hedhur poshtë në reagimin e saj mundësinë e kopjimit. Denoncimin e Parlamentit Rinor e ka cilësuar si keqpërdorje, ndërsa për foton, ku duket teza e Anglishtes e hedhur në Facebook, argumenti i këtij dikasteri ishte se ajo mund të jetë postuar pas provimit.
Kemi pasur 5000 administratorë në të gjithë vendin dhe asnjë maturant nuk ka kopjuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me një keqpërdorje të Parlamentit Rinor, thanë burime zyrtare nga MASH. Sipas këtij dikasteri, do të ngrihet një grup ekspertësh që do të verifikojë nëse këto raste janë vërtet kopje me celular, apo abuzime të nxitura për të deformuar procesin.
Sigurisht që nuk mund të kontrollojmë një rrjet social që ka miliona përdorues, por për rastet e denoncuara do të jenë ekspertët ata që do të gjykojnë nëse vërtet bëhet fjalë për kopje. Në rregulloren e Maturës Shtetërore është e përcaktuar qartë: të gjithë maturantët që kapen ose verifikohen se kanë shkëmbyer informacione gjatë provimit, përjashtohen automatikisht dhe humbasin të drejtën për të konkurruar në universitet, sqaruan burime zyrtare nga MASH.
Dje pasdite, ky dikaster publikoi çelësin e përgjigjeve për 27 lëndët me zgjedhje. Gazeta publikon të plota skemat për më të kërkuarat, ku Anglishtja zë vendin e parë. Atë e kanë përzgjedhur 12 mijë maturantë.

Formulari A2
Pas daljes së rezultateve të Maturës Shtetërore, maturantët do të plotësojnë formularin A2. Me anë të tij ata do të zgjedhin 10 preferencat e shkollës së lartë. Këtë vit, për herë të parë formulari A2 do të plotësohet në mënyrë elektronike. Sipas Ministrisë së Arsimit, udhëzimi i plotë për mënyrën si do të bëhet përzgjedhja e degëve do të publikohet rreth datës 20 korrik. Përpara se të plotësojnë formularin A2, nxënësit do të bëjnë llogaritjen e pikëve sipas formulave përkatëse.

Provimi në Burrel
BURREL – Maturantët e Matit, që zhvilluan provimet me zgjedhje në mjediset e shkollës 28 nëntori Burrel, e nisën atë me një orë e gjysmë vonesë, me gjithë temperaturat e larta. Drejtori i Zyrës Arsimore Mat, Lefter Ballabani, e pranoi këtë fakt, duke sqaruar se vonesa erdhi për shkak të kujdesit të treguar nga ana e specialistëve për dhënien e testeve me saktësi. Ishte një punë voluminoze, pasi kishim më shumë se 30 lloje testesh dhe duheshin shpërndarë me rregull, tha ai. Për të gjithë maturantët është dhënë koha e plotësimit të testeve sipas udhëzimeve të MASH, deklaroi Ballabani.

Ministri Tafaj
ELBASAN Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ishte dje në Elbasan në ditën e provimit të fundit të maturantëve. Ai u shpreh se këtë javë janë miratuar kuotat për pranimet në universitetet publike, dhe 70% e maturantëve kanë mundësi që të përfitojnë nga shërbimi me kohë të plotë dhe pjesa tjetër të ndjekë studimet e larta me sistemin parttime, nëse dalin me rezultat pozitive. Ministri Tafaji ka theksuar faktin se matura, nga viti në vit ka pësuar ndryshime pozitive dhe se plotëson standardet për tu njohur nga vendet e BEsë, në mënyrë që të gjithë maturantët që dëshirojnë të ndjekin arsimin e lartë jashtë vendit, të pranohen në universitetet e tyre.

Kamzë, arrestohen 4 mësuese

Policia e Tiranës: Morën 25-30 mijë lekë nga secili nxënës, abuzim në tri provimet
Dërguan me SMS te maturantët përgjigjet e tri provimeve

Katër mësuese të shkollës së mesme të përgjithshme Ibrahim Rugova në Kamzë u arrestuan dje me akuzën e korrupsionit me tezat e provimeve të Maturës Shtetërore.
Në një aksion të kryer nga Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës dhe nga Policia e kryeqytetit, është finalizuar arrestimi në flagrancë i dy mësueseve dhe më pas kapja e dy të dyshuarave të tjera. Në një deklaratë për median, zëdhënësja e Policisë së kryeqytetit tha dje se gjatë aksionit të koduar me emrin Matura janë vënë në pranga shtetaset: Fatbardha Mahmutaj, 49 vjeçe, Klodiana Kryemadhi, 33 vjeçe, Arjana Metaliaj, 32 vjeçe dhe Nevila Fiku, 47 vjeçe, të gjitha mësuese të shkollës së mesme të përgjithshme Ibrahim Rugova në Kamzë. Arrestimet mësohet se janë kryer ditën e djeshme, vetëm pak orë pas përfundimit të provimit të maturës për lëndët me zgjedhje. Edhe në këtë provim, ashtu si në testin e Letërsisë, njëra nga mësueset ka realizuar dërgimin e përgjigjeve të testit me mesazhe te maturantët brenda shkollës. Ata kishin hyrë në sallën e provimit me celularë me vete dhe mësuesja e Fizkulturës ua ka dërguar me mesazhe përgjigjet e testeve të provimit. Nga hetimet është zbardhur e gjithë skema e korrupsionit. Mësuesja e Fizkulturës është lidhur me dy prindër të interesuar për ndihmë ndaj fëmijëve të tyre. Kjo mësuese nuk ka qenë pjesë e administratës së provimit të maturës, por ajo ka kërkuar ndihmën e kolegeve të veta të lëndëve përkatëse, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, mësuesja e Fizkulturës, ditën e provimeve, në rastin e Matematikës dhe të Letërsisë, por edhe ditën e djeshme, i ka marrë përgjigjet e testeve nga tri koleget e veta dhe i ka dërguar me mesazhe në telefonat e nxënësve sipas një pakti që kishte bërë më parë me prindërit e tyre. Sipas Policisë, për secilin nxënës mësueset kanë marrë 25-30 mijë lekë dhe më pas i kanë ndarë së bashku. Shtetaset Nevila Fiku dhe Klodiana Kryemadhi u kapën në flagrancë në Kamzë me shumat e parave të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme, tha dje Policia. Nga burimet e hetimit është mësuar se rastet e dërgimit me mesazhe të përgjigjeve të testit dhe marrja e parave nga ana e mësueseve janë dokumentuar me metoda speciale me zë dhe me figurë. Katër mësueset e arrestuara pritet të dalin në gjykatë javën e ardhshme për cak

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›