E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet, SHISH: Abuzime? Ka gabime të paqëllimshme

Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Partia Socialiste ndanë dje të njëjtin shqetësim për nevojën e rregullimit të kontrollit parlamentar mbi shërbimet sekrete. Por palët u ndanë kur çështja u shtrua tek arsyet e vonesës së miratimit të ligjit. Në tryezën e organizuar nga Instituti për Ndërmjetësim dhe Demokraci, deputetë dhe figura të njohura të PS-së akuzuan qeverinë se qëllimisht nuk po e kalon ligjin për kontrollin ligjor të agjencive inteligjente. Madje sipas ligjvënësit socialist, Ilir Gjoni kjo është bërë me qëllim për të ruajtur ato që ai i konsideroi si “sekretet e pista” të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën. “Ky ligj ka dy vjet që fle në sirtaret e Kryesisë së Kuvendit dhe nuk i paraqitet Kuvendit për miratim ndonëse është fryt i punës së përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës në bashkëpunim me OSBE. Ne jemi kundra mbajtjes sekret të atyre që quhen ‘sekretet e pista”, fenomen ky i cili shpesh mbulohet në petkun e sigurisë shtetërore. Institucione të tjera që kryejnë funksione inteligjente janë pothuajse jashtë kontrollit parlamentar”, - tha Gjoni

Ai shtoi gjithashtu se nëse ligji do të ishte miratuar atëhere do të zgjidhej edhe problematika e ngritur nga opozita për përgjimet e paligjshme, që pretendohet se janë kryer ndaj saj, nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani. “Ky ligj është tepër i domosdoshëm dhe duhet të ushtrohet trysni mbi Parlamentin dhe vetë komisioni i sigurisë duhet ta kryejë punën e tij sepse mendoj se ajo punë e bërë është tepër e dobishme dhe legjislacioni shqiptar ka nevojë për këtë ligj”, - tha ai.
SHISH
Shqetësimi i opozitës ka gjetur mbështetje edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Inspektori i Përgjithshëm në këtë institucion, Sajmir Kodra, ka mbështetur miratimin e ligjit për mbikëqyrjen parlamentare si dhe ka kërkuar ngritjen e një strukture të posaçme nga Kuvendi që të kontrollojë shërbimet sekrete. Në këtë mënyrë sipas tij do të shmanget edhe kontrolli nga persona jo-kompetente në këtë fushë. Ai pranoi se është domosdoshmëri një ligj i tillë, pasi qëllimisht krijohen hipoteza dashakeqe për të demtuar punën e SHISH. “Është mëse i domosdoshëm miratimi i ligjit për mënyrën e ushtrimit të kontrollit parlamentar, mbikqyrjes parlamentare ndaj shërbimeve inteligjente. Në shërbim mund të ndodhë dhe prandaj duhen kontrolluar dhe mbikqyrur. Mund të ndodhë që të shkelin ligjin, qoftë dhe nga dëshira për të bërë punën, jo aq shumë nga dëshira ose vullneti për të ndihmuar një person apo një krah politik. Unë personalisht mendoj që kjo është e kapërcyer në Shqipëri, por për të parandaluar mundësinë e kapërcimit të hapësirave që ka lejuar ligji është patjetër i domosdoshëm rritja e nivelit të kontrollit edhe sidomos mbikqyrjes parlamentare”, - tha Kodra. Ligji për mbikëqyrjen parlamentare në shërbimet sekrete është hartuar ne bashkëpunim me OSBE por që prej vitit 2010 mbetet i bllokuar në Parlament. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetesim teksa paraqiti një raport për llogaridhënien e shërbimeve inteligjente në Shqipëri bëri të ditur mes të tjerash se mandati dhe kompetencat e këtyre shërbimeve janë zgjeruar ndjeshëm, ndersa llogaridhënia nuk ka ndryshuar duke krijuar shtigje për abuzime.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›