Sherr në PUB, plagoset bodigardi dhe klienti
Policia arreston një nga personat e dyshuar për ngjarjen dhe shpall në kërkim dy persona të tjerë
TIRANE- Bodigardi i një lokali nate dhe një klient mbetën të plagosur mëngjesin e djeshëm në ambientin që ndodhet në kryqëzimin e rrugës së Barrikadave dhe asaj të Dibrës, pas një konflikti mes një grupi personash në gjendje të dehur.
Policia arrestoi autorin e dyshuar të krimit, si dhe shpalli dy të tjerë në kërkim, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë në bashkëpunim me pasojë plagosjen e një personi. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 06:30, kur një grup personash mes të cilëve ishte Arben Prenga, kanë shkaktuar sherr në lokal sipas policisë.
Kjo ka bërë që një prej bodigardëve të lokalit, Shpëtim Marku, të ndërhynte për t'iu kërkuar personave që të mos shkaktonin grindje dhe sherr në ambientet e lokalit.
Kjo ndërhyrje e tij, shkaktoi edhe reagimin e palës tjetër, të cilët kanë fyer dhe ofenduar bodigardin. Pas kësaj, sipas burimeve të policisë, Marku ka debatuar me Prengën, e madje edhe kanë shkëmbyer fjalë fyese ndërmjet tyre. Më pas personat janë acaruar mes tyre duke u konfrontuar edhe fizikisht.
Në këtë kohë në ndihmë të bodigardit Marku, janë afruar edhe punonjës të tjerë të sigurisë së lokalit të cilët janë munduar të shuajnë sherrin. Në këtë kohë, një person që sipas policisë dyshohet të ketë qenë Arben Prenga ka qëlluar me armë zjarri, nga e cila mbeti i plagosur bodigardi Marku.
Menjëherë më pas reaguan edhe punonjësit e tjerë të lokalit që bllokuan autorin e dyshuar të krimit, ndërsa dy persona të tjerë që mendohet se ishin shokë të tij u larguan nga vendi i ngjarjes. Prenga u arrestua me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa dy shokët e tij u shpallën në kërkim.
Nga përplasja me grupin e bodigardëve sipas burimeve të policisë ai ka marrë plagë për shkak të goditjes ndaj tij me sende të forta kryesisht grushte.
Policia pas veprimeve në vendin e ngjarjes, administroi një gëzhojë të një arme pistoletë në cilësinë e provës materiale.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia mori disa dëshmi ndërsa më pas i komunikoi arrestin në flagrancë Arben Prengës, për akuzën e plagosjes me armë zjarri.