Përgjimi, Gërdecin e hodhën ne erë
Trazhgim Sokolaj
Një sasi raketash e mbajtur gabimisht në një depo pranë Gërdecit, mund të kishte shpërndarë në të gjithë vendin, tragjedinë e një viti më parë, e cila preku vetëm zonën e Vorës në periferi të Tiranës. Ngarkesa me municion turbo aktiv është dërguar gabimisht në Gërdec dhe pas disa ditëve është kthyer mbrapsht për në Qafë-Mollë. Aktivizimi i raketave nëse ato do të ishin të pranishme në vendin e ngjarjes, mund të shkaktonte pasoja për krejt vendin. Informacioni për praninë e raketave afër Gërdecit, konfirmohet nga një raport i Shërbimit Informativ Ushtarak dërguar Prokurorisë së Përgjithshme më 15 prill 2008. “Pas shpërthimit në Gërdec, është aluduar edhe në media, se në një depo afër zyrave të personelit në fabrikën e demontimit në Gërdec kanë qenë të depozituara një sasi raketash. Një sasi e tillë municioni turbo-reaktiv ka shkuar gabimisht në Gërdec nga grup-depot e Qafë-Mollës, por nga verifikimet e llojit të municionit, kjo sasi është kthyer mbrapsht për në Qafë-Mollë. Dijeni për këtë problem kanë magazinieri i depos së Qafë-Mollës, K.Balla dhe magazinieri i MEICO-s Artur Ballabani”, thuhet në raportin e SHIU-t.
Përgjimi i Delijorgjit
Më poshtë publikohet një bisedë e përgjuar e cila zhvillohet mes Mihal Delijorgjit (në burgun 313 që më 18 mars 2008) dhe babait të tij Kiços, në gjendje të lirë, 11 ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Ata bisedojnë për dikë në fshatin e Gërdecit që ka dëgjuar njerëz në zonë, teksa thoshin se dikush ishte paguar për të hedhur në erë Gërdecin. Delijorgji me të atin flasin edhe për një konferencë shtypi që do të zhvillohej të nesërmen e kësaj bisede në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008. Në fund të përgjimit, flitet për njërin nga amerikanët, që mbikëqyrnin Gërdecin dhe mundësinë që ai të ketë denoncuar tek Presidenti Alfred Moisiu për çka ndodhte në fabrikën e demontimit.
Përgjimi datë 26 mars 2008, ora 19:54:07.
Nr. i telefonuesit: 0682022885
Nr. i telefonit që përgjigjet: 0693384370
Personi që përdor telefonin e përgjuar: Kiço (K)
Personi i kontaktuar: Mihali (M)
Zgjatja e thirrjes: 0:02:50
Përmbledhja e përgjimit
(flasin greqisht)
Kiço: Ça bëhet, si je?
Mihali: Mirë
Kiço: Ça ke?
Mihali: Asgjë, e takove...
Kiço: Do vij nesër, që në mëngjes
Mihali: Do vijë nesër?
Kiço: I bëra një prokurë, ja bëra të gjitha, nuk mund të ashtu sot po nesër e ke aty
Mihali: I the për Përparimin (kompani e Delijorgjit), red.
Kiço: I thashë i thashë, do vemi
Mihali: Ça të tha?
Kiço: Do të flasi nesër dhe do të japin një konferencë shtypi, ça t’i thuash edhe ti, ka bërë një pyetësor gati
Mihali: Mirë, ai the për Përparimin se janë që nga 2002
Kiço: E lëri t‘ja fusin kot thotë, atë ditë që mbaroi gjykata masën e arrestit unë i nxora... dhe nuk e dhanë, diçka luhet me atë kanal, por nuk duhet ti... atyre, nesër do dali në konferencë, do vij dhe te ty, por më tha tani se i kishte thënë...se ka shkuar njëri nja 1 muaj e gjysmë më parë dhe se ça i kanë thënë për ta hedhur në erë dhe i kishte thënë ai se nuk e merrte përsipër, do ta marri dikush tjetër dhe thonë për këtë gjë
Mihali: Çfarë gjëje?
Kiço: E kanë gjetur andej
Mihali: Ka shkuar ndonjë?
Kiço: Ehe, ka shkuar njëri dhe e ka hedhur në erë
Mihali: Kush ta hidhte?
Kiço: I kanë thënë këtyre në fshat, dikush që kanë shkuar dhe ka bërë denoncim në prokurori po të them, para nja një muaji e gjysmë
Mihali: Para një muaji e gjysmë?
Kiço: Eee
Mihali: Mirë
Kiço: Po tani, atë...njëri tek ...po nuk e thonë..., dhe ka dorë edhe ai legeni
Mihali: Kush
Kiço: Bevi
Mihali: A thua?!
Kiço: Ou, e sigurt, nuk e di n.q.s., ka thënë ai akoma, por që shkonte te amerikani dhe bënte ankesa, Moisiut
Mihali: Kuptova
Zbulohet amerikani, filmoi Gërdecin para shpërthimit
TIRANE – Taylor Rodney Spencer amerikani që mbikëqyrte për llogari të SAC, demontimin në Gërdec ka filmuar nga dritarja e hotelit ku qëndronte para se të ndodhte shpërthimi. Ky person është larguar një ditë më pas nëpërmjet aeroportit të Rinasit drejt SHBA-së. Gjithçka pohohet nëpërmjet një shkrese, e klasifikuar “sekret” të cilën zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Agron Kuliçaj ia dërgon Prokurorisë së Tiranës më datë 25 mars 2008. “Nga informacionet që administrojmë, rezulton se më datë 15 mars 2008, shtetasi Taylor Rodney Spencer është parë nga kati i tretë i hotelit të filmonte në drejtim të fshatit Gërdec, para se të ndodhte shpërthimi”, thuhet në shkresë e cila i përcillet prokurorisë për interesa të hetimit dhe që tashmë ndodhet në dosjen gjyqësore të çështjes “Gërdeci”. fa.ma.
Raporti i Shërbimit Informativ: Urdhëroi bllokimin e barutit
SHIU: Delijorgji 3 dynymë tokë në Gërdec për fabrikë fishekzjarrësh
TIRANE - Pronari i fabrikës së Gërdecit Mihal Delijorgji kishte planifikuar ngritjen e një fabrike fishekzjarrësh në Vorë, fare pranë vendit ku ndodhi tragjedia e 15 marsit 2008. Plani i biznesit të Delijorgjit me këtë fabrikë lidhet drejtpërdrejt me pasojat katastrofike, që pati shpërthimi në punishten e demontimit. Duke pasur në mëndje projektin për fabrikën e prodhimit të fishekzjarrëve, Mihal Delijorgji për muaj me radhë ndërpreu largimin nga Gërdeci të barutit që dilte nga demontimi. Në këtë mënyrë, një sasi e madhe baruti u mbajt e grumbulluar në kontejnerë pranë fabrikës, duke mbetur aty deri ditën e tragjedisë ku rriti me dhjetëra herë fuqinë e shpërthimit tragjik. Një fakt i tillë konfirmohet nga një raport i Shërbimit Informativ të Ushtrisë dërguar Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm më 2 maj 2008, dy muaj pas ngjarjes së rëndë në Gërdec. Në raportin me nr/prot.969, thuhet se “sipas burimit tonë të informacionit, Mihal Delijorgji ka blerë rreth tre dynym truall në fshatin Kuç të Vorës, në të cilën kishte planifikuar të ndërtonte një fabrikë për prodhim fishekzjarrësh”. Raporti i Shërbimit Informativ Ushtarak, thekson më tej se “Linjën për prodhimin e fishekzjarrëve, me një vlerë prej 450 mijë euro, Mihal Delijorgji e ka porositur jashtë vendit, para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit”. Dokumenti i shërbimit të fshehtë të ushtrisë, parashtron më tej se “baruti ishte depozituar në kontejnerë, në kundërshtim me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes, në të cilin urdhërohej asgjësimi i barutit çdo ditë me djegie”. Të dhënat e Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), vënë në dukje se “kontejnerët për mbajtjen e barutit të grumbulluar në Gërdec, i janë vënë në dispozicion firmës “Albademil” nga ndërmarrja “MEICO”. Ky raport i SHIU-t, është firmosur nga ish-drejtori i këtij institucioni n/kolonel Hysni Gjergji, i cili u shkarkua nga detyra disa javë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fabrikën e Mihal Delijorgjit në Gërdec.