E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qetsori fiton “Big Brother”, Adelës i mbetet vetëm Bjordi

 

TIRANE

Sori rrëmben trofeun e “Big Brother Albania”. 33-vjeçari nga Dukati Qetsor Ferunaj, është shpallur mbrëmjen e djeshme fitues i 70 mijë eurove të spektaklit më të njohur në Shqipëri. Pas 100 ditësh shpallet fitues i edicionit të dytë të spektaklit, pasi i ka shpëtuar numrit më të madh të nominimeve. Shpesh është “akuzuar” për lojë të pistë brenda shtëpisë. Por në të vërtetë ka arritur të përcjell para tij rreth 18 banorë nga shtëpia e “Big Brother”. Së shpejti, baba i dy fëmijëve, Sori, para se të hynte në spektaklin e madh është shprehur se i duheshin vetëm 30 mijë euro, për biznesin e tij, një hotel që ka nevojë për disa restaurime. I shkathët, intrigant, mashtrues, origjinal, me bindjen për t’u bërë hero i së birit, më në fund ia ka arritur qëllimit. Sori ka jetuar 3 vjet në Itali dhe ka bërë një kontratë me shtetin italian, që në rast vdekjeje t’i dhurojë organet e tij. Ndërsa pas tij, në vendin e dytë është shpallur Adelajda. Shumë e cilësuan fenomeni Adelajda. E në të vërtetë ajo u kthye një kundër të gjithëve. Jo vetëm brenda shtëpisë së “Big Brother”, banorët e saj, por edhe gjithë publikut jashtë, aq më tepër qytetit të saj, Kavajës. Ka thyer mentalitetin, ka thyer shumë zemra familjarësh, por ka fituar një tjetër, zemrën e Bjordit. Adelajda Xhamani është vetëm 22 vjeçe, por ka arritur të fitojë zemrat e shumë njerëzve. Shumë e kanë cilësuar intrigante, por ajo ka mundur të përcjellë nga shtëpia para saj 18 banorë. Ka hyrë në “Big Brother” pa dëshirën e prindërve. Madje, një vit më parë, nuk mundi as të bënte aplikimin. Sipas saj në Kavajë njerëzit janë fanatikë, por ajo e kundërshton këtë fenomen dhe e ka bërë përgjatë 100 ditëve. Nga hyrja e saj në këtë spektakël ka humbur një lidhje pesëvjeçare, lidhje që është përfolur dhe interpretuar në mënyra nga më të ndryshmet, gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi. Por i pari që la shtëpinë e “Big Brother Albania”, është Ardian Pojana. I cilësuar si i hurit dhe i litarit, si një njeri që bën gallatë me të gjithë. Dinak, i paparashikueshëm, por në brendësi tip i qetë dhe jo shumë impulsiv, në impresion të parë, por me një jetë të komplikuar. Ndërkaq, pas Adit i dyti që lë shtëpinë e “Big Brother” ka qenë miku i tij, Bjordi Mezini, i cili ka jetuar Brenda shtëpisë jo vetëm surpriza të mëdha, por edhe një lidhje dashurie me Adelën. Ëndrra e djalit simpatik 20-vjeçar nga Durrësi, që ka jetuar për 19 vite në Leço të Italisë është të bëhet aktor. Eshtë larguar nga Shqipëria, që në moshën 2-vjeçare dhe në Itali ka një agjenci ndërtimi, të cilën e drejton vetë.

Bjordi
Surpriza e parë në natën finale të edicionit të dytë të “Big Brother Albania” i ka takuar Bjordit. Pas 100 ditësh qëndrimi në shtëpinë më të madhe në Shqipëri, Bjordi ka takuar dy miqtë italianë, Andrean dhe Mikelen, të cilët ndodheshin në kamping dhe prisnin Bjordin. Gjithashtu, një surprizë, që ka kohë nuk ishte zbuluar për të, që nga dita e ditëlindjes së tij në 11 mars, është një rol si protagonist në një film për televizionin italian.

Qetsori
I është dhënë mundësia të përgatisë disa aperitivë për miqtë që do ta vizitonin. “Big Brother” i ka përshtatur në zonën aziatike, një restorant, në të cilën duhet të priste klientët e tij. Të parët që e kanë vizituar në restorant kanë qenë tri parodistët e Vlorës. Por tjetër klient për Sorin, ka qenë dhe gjyshja e tij, e cila i ka lënë një videomesazh. Ndërkohë, surpriza më e bukur ka qenë djali i Qetsorit, Eri, i veshur si kamerier.

Adi 
Surpriza për Adin! Një mik shumë i ngushtë i tij, të cilin Ardiani nuk e ka parë prej disa kohësh e viziton në shtëpinë e “Big Brother”. Në oborr e prisnin dy kitaristë pranë një monitori, ku shfaqej një foto, që nuk dukej portreti. Eshtë Genci, miku i tij më i ngushtë, i cili kishte ardhur enkas nga Amerika për Adin. Ndërkaq ai shfaqet në oborr dhe takohet me Adin. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›