Vlorë, Pylli i Sodës i mbushur me inerte
VLORE - Plazhi pranë pyllit të Sodës në Vlorë është tejmbushur me inerte dhe mbeturina të tjera, duke larguar edhe për këtë sezon turistët e shumtë, që do të pushojnë në këtë qytet. Bashkia e Vlorës është në dijeni të kësaj problematike, por shprehet e pafuqishme për të ndërhyrë për shkak të mungesës së fondeve. Situata e krijuar është tepër e rëndë. Rreth 90 për qind e zonës është e mbuluar nga inertet dhe mbetje të tjera urbane. Pas kësaj situate të krijuar vitet e fundit, bashkia i kërkon ndihmë e Ministrisë së Turizmit për fond të veçantë për këtë zonë. “Do të duhen fonde të konsiderueshme për të larguar mbeturinat nga ky plazh, fond të cilin nuk mund ta përballojë bashkia. Na duhet ndihma e Ministrisë së Turizmit apo angazhimi i ushtrisë për të bërë të mundur largimin e inerteve të hedhura. Pas kësaj mund të sistemohet gjithë plazhi, duke e mbushur me rërë të pastër”, bënë të ditur burime të bashkisë së Vlorës. Ndonëse pak ditë më parë u çel zyrtarisht zezoni turistik në Vlorë, zona e plazhit të Pyllit të Sodës lë për të dëshiruar. Prej vitesh nuk është vënë dorë në këtë plazh për pastrimin dhe sistemimin e saj. Tashmë, pushuesit e kanë braktisur këtë zonë duke preferuar të tjera, aty ku bashkia ka investuar disi më shumë jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në pastrimin e këtyre plazheve. Turistët, por edhe vetë qytetarët vlonjatë nuk shkojnë më në këtë plazh, i cili me sa duket është harruar prej tyre. Persona të papërgjegjshëm me mjete të tonazheve të rënda nga firma të ndryshme ndërtimi kanë hedhur tek pylli i Sodës tonelata me inerte. Ndonëse situata është evidentuar prej kohësh, askush nga përfaqësitë vendore kompetente për të ndërhyrë, nuk kanë ndaluar apo penalizuar këto firma, që po shkatërrojnë nga dita në ditë një nga plazhet më të frekuentuara të Vlorës. q.b