E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gropa që lë pas PBDNJ

Skënder Minxhozi 

Nëse do të kishte një lajm të keq, vërtet të keq për kryeministrin Berisha, nga ato lajme që të bëjnë të rishikosh të gjithë fushatën që ke nisur, ky do të ishte kalimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në kampin e opozitës. Tani që kjo ndodhi, brenda maxhorancës nuk është vështirë të dallosh mllefin e shurdhët që buron nga heshtja formale që mbajtën strukturat zyrtare të koalicionit.  Pas katër vjet aleance qeverisëse, partia e minoritetit grek ka këputur litarin dhe e ka futur në paqartësi dhe kaos fushatën e PD-së në Jug të Shqipërisë. Spostimet e minutës së fundit në listat e kandidatëve në qarqet jugore duket se janë mënyra e vetme e riparimit të një dëmi, i cili megjithatë duket serioz dhe i pakthyeshëm.
Qëndrimi i PBDNJ-së ka qenë njëra ndër dilemat e mëdha të fushatës aktuale. Me shumë kujdes kjo parti e kishte evituar daljen haptazi në favor të njërit prej kampeve politike. Por afrimi i limiteve ligjore për paraqitjen e dokumentacionit zgjedhor, ka bërë që edhe kjo nyje të zgjidhet. Me ose pa hir, me ose pa kosto për vetë të ardhmen e PBDNJ-së dhe lidershipit të saj aktual.
Vangjel Dule i shpjegoi shkaqet formale që çuan në dështimin e negociatave me Berishën. Ai madje foli hapur për “pogrom” të PD-së ndaj strukturave të partisë së tij. Ky term është paksa i fortë dhe i papajtueshëm me statusin e aleatit politik, çfarë edhe kanë qenë dy partitë gjatë katër vjetëve të fundit, por që në fund të fundit pasqyron distancën e pariparueshme që ishte krijuar mes dy partive me kalimin e kohës. E vërtetë ose jo, kjo akuzë publike ndaj aleatit më të madh, pasqyron humorin gri (në të zezë) që ekzistonte prej kohësh mes kreut të PBDNJ-së dhe kryeministrit, gjë që ishte dëshmuar prej kohësh në daljen thuajse të pavarur të grupit parlamentar të PBDNJ-së në mjaft votime në Kuvend. Këtu nuk duhet harruar gjithashtu edhe konflikti i vitit të shkuar, që lidhej me ish-ministrin Barka dhe që në partinë e Vangjel Dules u përjetua si një tentativë e jashtme për çarjen e partisë.
Megjithatë, këto janë shkaqe dytësore në krahasim me motivin qendror të kësaj skizme të PBDNJ-së nga paneli i djathtë. Sepse duket gjithnjë e më qartë se shkëputja ka pasur dhe ka kryesisht një motiv shifror, matematik. E thënë ndryshe, Dule dhe njerëzit pranë tij nuk e kanë pasur të vështirë të përllogarisin se zoti Berisha nuk i ka deri më sot shifrat për të qeverisur më vendin pas 28 qershorit. Natyrisht brenda kuadrit të dinamikës së fushatës dhe të rezervës me të cilën duhen marrë shifrat e sondazheve. Por s’duhet harruar edhe fakti se me ikjen e saj, PBDNJ kontribuon në mënyrë esenciale që largimi i PD-së nga qeverisja të çimentohet edhe më tej. Dihet që elektorati i kësaj partie është i fokusuar në Jug të vendit dhe që zgjedhësit minoritarë me bindje të majta janë më të shumtë se ata me bindje të djathta. Këto faktorë duken përcaktues në definimin e pozicionit më të fundit që adoptoi Vangjel Dule para pak orësh.
Kur ka qenë fjala për Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kurrë nuk është folur si për një forcë politike modeste dhe me rezonancë lokale. Jo edhe aq nga pikëpamja numerike, sesa nga ajo politike, e madje gjeopolitike. Kjo parti është parë, me ose pa vend, si një pararojë e politikës greke në Shqipëri, si një antenë që merrte dhe jepte sinjale dhe mesazhe mes dy kryeqyteteve, të cilët shpesh në këto dy dekada, kanë kaluar përmes krizash dhe përplasjesh gjithfarësh.
Problemi PBDNJ rikthen për Berishën frikën e vjetër të qëndrimit grek ndaj zhvillimeve në Shqipëri. E konsideruar gjerësisht si një zëdhënëse e kamufluar e politikës zyrtare të shtetit fqinj në Shqipëri, kjo parti tradicionalisht ka pretenduar, me ose pa realizëm, “të drejtën e autorit” për atë që mendonte dhe bënte Athina në raport me Tiranën. I parë kështu, vendimi i fundit për kalimin në kampin opozitar, i ngatërron keq llogaritë e kryeministrit shqiptar në lidhje me qeverinë Karamanlis dhe vetë kreun e saj, sidomos pas vizitës së fundit që ai zhvilloi në Shqipëri dhe ku Berisha u mundua të krijojë klimën më të ngrohtë të mundshme mes dy vendeve. Një PBDNJ e rreshtuar me Ramën i jep zotit Berisha sinjalin e tërthortë se shtrëngimi i duarve me homologun grek s’paska qenë edhe aq i sinqertë dhe miqësor sa dukej në kronikat televizive dhe se pas perdes loja paska qenë disi e ndryshme. Dhe siç thonë gojët e këqija, në të tilla raste duhet kontrolluar jo vetëm dora, por edhe krahu...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›