Hapet Zyra e Informacionit Turistik
27/01/2011 Bashkia e Elbasanit hapi dje në qendër të qytetit Zyrën e Informacionit Turistik, me mbështetjen e USAID-it dhe AMC-së. Kjo është një përpjekje për promovimin e vendeve dhe bizneseve turistike lokale. Zyra do të ofrojë shërbim informimi profesional pa pagesë të një cilësie të lartë për gjithë turistët dhe vizitorët. Turizmi është një sektor i rëndësishëm në ekonominë e Elbasanit, që sjell punësim dhe mbështet zhvillimin ekonomik të shumë bizneseve në qytet. Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini theksoi rëndësinë e saj për qytetin dhe bizneset e turizmit. Zyra e Informacionit Turistik është një partneritet publiko-privat mes Bashkisë, USAID, kompanisë Çelësi dhe AMC, e cila ndërtoi këtë zyrë. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar mes palëve, Bashkia e Elbasanit do ta ketë në pronësi këtë zyrë dhe do të ketë autoritetin e mbikëqyrjes së punës së saj. Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, Joseph Williams, foli për rëndësinë e zhvillimit të partneriteteve publiko-private për nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor në Elbasan. Ai inkurajoi Bashkinë dhe bizneset lokale për krijimin e partneriteteve të tjera në të ardhmen. USAID ka mbështetur kompjuterizimin e Departamentit të Taksave në Bashki, fushatën e vulës të sigurisë për pagimin e taksave me mbështetjen Shoqatës së Biznesit të Vogël të Elbasanit dhe përfundimin e Planit të të rishikuar të Zhvillimit Strategjik të Bashkisë.