BE: Shpresojmë për një marrëveshje në fund të javës
Bashkimi Evropian shpreson që deri në fund të javës do të arrihet një marrëveshje me Prishtinën për planin prej gjashtë pikash të OKB-së së për praninë ndërkombëtare në Kosovë. Zëdhënësja e shefit të diplomacisë evropiane, Kristina Galak, deklaroi për BBC-në nëse BE-ja shpreson në shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës deri në dhjetor të këtij viti. Sipas saj, ky mision do të punojë në kuadër të Rezolutës 1244, që vazhdon të ofrojë një rol për OKB-në. Gallak tha se kjo nuk do t‘i kufizojë mundësitë e EULEX-it që të punojë me institucionet e Kosovës mbi bazën e ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Ajo tha se EULEX-i do të mbajë përgjegjësi të kufizuara ekzekutive dhe, në të njëjtën kohë, do të respektojë kornizën institucionale e ligjore të Kosovës. "Ajo që ne po provojmë shumë qartë, është të sigurojmë që të gjithë kosovarët ta kuptojnë se EULEX-i do të respektojë kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës. Kjo është thelbësore dhe EULEX-i këtë qëllim ka. Mendoj se është e qartë nëse vazhdoj ta them këtë. Fjalë të tilla si ‘kushtëzimi‘ nuk janë pjesë e fjalorit tonë", nënvizoi Galak. Autoritetet kosovare e kanë kundërshtuar marrëveshjen e OKB-së me Serbinë, mbi bazën e një plani prej gjashtë pikash të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Mun, për të ardhmen e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Zëdhënësja e Solanës theksoi se "EULEX-i do të punojë në kuadër të Rezolutës 1244, që vazhdon të ofrojë një rol për OKB-në. Kjo nuk do t‘i kufizojë mundësitë që EULEX-i të punojë me institucionet e Kosovës, mbi bazën e ligjeve të aplikueshme në Kosovë". Baza për EULEX-in nuk ka ndryshuar që kur është iniciuar në fillim të këtij viti, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Asgjë nuk ka ndryshuar dhe themelet janë të njëjta, siç janë veprimet e përbashkëta të miratuara nga këshilli, që vazhdojnë të jenë aty. Ky është një dokument të cilin të gjithë udhëheqësit kosovarë e kanë përshëndetur si një bazë e mirë për angazhimin e BE-së.