E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzimi i Prishtinës shtyn mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka shtyrë seancën e caktuar për ditën e djeshme, ku pritej të shqyrtohej raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, lidhur me gjendjen në Kosovë, përfshirë edhe procesin e rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare dhe vendosjen e EULEX-it. Burime perëndimore në Prishtinë thanë se arsyeja për këtë shtyrje është refuzimi i Kosovës për ta pranuar planin prej gjashtë pikash të OKB-së. Nga ana tjetër, në Nju Jork thuhet se takimi i djeshëm mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është shtyrë dhe nuk do të mbahet, duke e arsyetuar këtë me "mosqenien gati të raportit të rregullt të sekretarit të përgjithshëm". Megjithatë, këtë shtyrje nuk kanë mundur ta konfirmojnë zyrtarisht nga zyra e zëdhënësit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, sipas burimeve "jozyrtare" në Nju Jork, sekretari i përgjithshëm, Ban Ki Mun, ka vendosur ta shtyjë takimin pas kërkesës së dy vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. "Raporti nuk është i gatshëm dhe ai mund të përgatitet nga fundi i javës", tha zëdhënësja e sekretarit të përgjithshëm, Michele Montas, duke folur mbi raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun, që duhej t‘i paraqitej dje Këshillit të Sigurimit. Ajo nuk mund të jepte një datë se kur do të mbahej takimi, vetëm se ritheksoi që raporti mund të jetë i gatshëm në fund të javës. As përfaqësuesi për shtyp i Kostarikës, vendit kryesues të radhës për këtë muaj i Këshillit të Sigurimit, nuk mundi të jepte një datë të re të mbajtjes së takimit.

Refuzimi

Dy ditë më parë, autoritetet e Kosovës kanë hedhur poshtë dokumentin prej gjashtë pikash të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë me gazetarë theksuan se një pjesë e elementeve të procesit të rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare janë të papranueshme dhe cenojnë rendin kushtetues të Kosovës. Këto komente u bënë pas bisedimeve me përfaqësues ndërkombëtarë për rrjedhën e procesit të rikonfigurimit të pranisë civile në Kosovë. "Institucionet e Republikës së Kosovës konsiderojnë se elemente substanciale të dokumentit prej gjashtë pikash të prezantuar nuk janë të pranueshme për Kosovën në formën e tanishme të tyre", tha Presidenti Sejdiu. Por, ai theksoi se udhëheqja e Kosovës shpreh "gatishmërinë për të vazhduar dialogun me bashkësinë ndërkombëtare (Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), për të siguruar vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar bashkëpunimin e plotë me to dhe institucionet e tjera ndërkombëtare".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›