Përhapen ethet hemoragjike, Pipero: Situata, nën kontroll
pak ditë më parë. Ministria siguron se pacienti është nën kontrollin e mjekëve të Spitalit Infektiv, kurse kreu i Shëndetësisë Petrit Vasili kërkon që çdo rast i dyshimtë me ethe hemorragjike të transportohet në QSUT. Pas vdekjes së një personi dhe infektimit e marrjes në kurim të gjashtë të tjerëve, mjekët kanë konfirmuar rastin e tetë të dyshuar ditën e sotme. E sëmura mësohet se është një grua e cila është e afërme e personit që gjeti vdekjen nga sëmundja pak ditë më parë. Bëhet e ditur se pacientja është në kurim intensiv në spitalin Infektiv Nënë Tereza në Tiranë. Drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero ka deklaruar dje se më të rrezikuara nga sëmundja, janë moshat e reja dhe aktive, që bien në kontakt me virusin. "Jemi në vrojtim dhe survejim të situatës dhe ministri Vasili ka urdhëruar që çdo rast i dyshuar për ethe hemorragjike të dërgohet në QSUT, në repartin Infektiv"- tha Pipero. Mjekët pohojnë se rreziku i sëmundjes është evident në zonat e veriut e veçanërisht në Kukës. Ne 14 qershor, një grua nga Hasi e prekur nga sëmundja ngjitëse e etheve hemoragjike gjeti vdekjen. Mjekët kanë thënë se karakteristikat e sëmundjes janë:
Temperaturë e lartë edhe dhe hemoragji, prek moshat mbi 18 vjeç. shfaqet kryesisht në fshatra ku gjendet insekti rriqra, transmetohet nga kontakti i ngushtë i njerëzve
Shkakton vdekje në fazën e saj akute. Ndërkohë një tjetër rast i një gruaje ditën e djeshme është transportuar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë (QSUT) për shkak të gjendjes së rënduar. Mjekët dyshojnë se bëhet fjalë për ethet hemoragjike, sëmundje nga e cila pak ditë më parë gjeti vdekjen një person i kësaj zone. Mësohet se pacientja e sotme është e afërme e viktimës. Në QSUT ekipi i mjekëve ka marrë nën kontroll pacienten dhe po përpiqen ti shpëtojnë jetën. Pak ditë më parë Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili se QSUT ndodhet në gatishmëri ndaj çdo rasti të dyshimtë me ethet hemoragjike. Gjatë muajit Qershor, rishfaqja e etheve hemoragjike ka shkaktuar panik tek banorët e Kukësit dhe të Hasit, veçanërisht tek të afërmit e të prekurve. Mjekët bëjnë të ditur se epidemia përhapet me anë të një rriqre e cila është një kafshë e vogël që jeton kryesisht në zonat malore të ulëta dhe që ushqehet me gjakun e kafshëve të pyllit. Në rast kontakti me njeriun, kjo kafshë bën infektimin e gjakut me virusin e sëmundjes e cila nëse nuk kurohet në kohën e fundit është vdekjeprurëse
Ndalon hipotekimi i pallateve në Tiranë, probleme me taksat dhe trojet
Një pjesë e madhe e ndërtesave shumëkatëshe të ndërtuara në Tiranë nuk hipotekohen për shkak të problemeve me pronarët e trojeve. Arben Qirjako, shefi i zyrës kombëtare të regjistrimit të pasurive të paluajtshme thotë se ndërtuesit kanë gjithashtu edhe probleme me pagimin e taksave. Kanë problematika të ndryshme. Një mund të jetë marrëveshja me pronarët e truallit për ndarjen e këtij objekti shumëkatësh. Tatim- taksat janë pak problematike në këtë kohë. Nuk ka të bëjë me lejen e ndërtimit dhe lejen e shfrytëzimit që duhet për të regjistruar një leje ndërtimi, por e shikojmë që një pjesë e mirë kanë ngecur në hartimin e kontratave të shërbimit dhe në likuidimin e tatimeve për objektet që kanë ndërtuar thotë Qirjako. Tirana është qyteti me bumin më të madh të ndërtimeve në vend. Për pasojë edhe flukset për të regjistruar apartamentet në hipoteka janë të larta.
Ka pasur një bum në zyrën e regjistrimit. Është ngritur një task- force për momentet që ka një shtesë të punës. Nga informacionet që marrim një herë në dy javë ne si zyrë qendrore shikojmë që po ecim me ritme të shpejta thotë Qirjako. Ndërtimi që zë rreth 12 për qind të GDP është sektori i ekonomisë me rritjen më të madhe në këto vite. Por sektori po ndeshet edhe me shumë probleme, ndër to edhe me hipotekimin.
Shi në fundjavë, temperaturat bien me 5 gradë gjatë javës së ardhshme
Meteorologët parashikojnë një fundjavë me një situate sinoptike të paqëndrueshme, reshje shiu, kthjellime herë pas here, por edhe temperatura më të ulëta krahasuar me ditët që lamë pas. E njëjta situatë sipas meteorologëve do të na shoqërojë edhe javën që vjen, madje në fillim të saj, vlerat termike do të shënojnë një rënie të menjëhershme me 5 gradë celsius.E shtuna dhe e diela pritet të jetë me vranësira në pjesën më të madhe të territorit. Nuk do të mungojnë edhe shkëputjet me kthjellime, por pjesa më e madhe e ditës do të jetë me vranësira dhe shira. Kryesisht zonat malore, verilindja dhe juglindja e vendit do të kenë shira të konsiderueshëm, ndërsa me intensitet më të ulët do të jetë bregdeti dhe zona e ulët. Edhe java në vazhdim pritet të jetë me vranësira dhe shira në gjithë territorin shqiptar. Mund të themi se dita e hënë dhe e martë do të shënojë edhe ditët me shira me intensitete më të larta. Temperaturat pritet të pësojnë rënie gjatë gjithë javës. Dita e hënë dhe e martë do të shënojnë rënien më të ndjeshme, kryesisht në vlerat e mesditës thotë meteorologjia Lajda Porja. Muaji qershor sipas metereologëve nga një parashikim i përgjithshëm, pritet të mbyllet me mot të paqëndrueshëm, ndërkohë që temperaturat gjatë gjithë këtij muaji me përjashtim të javës që lamë pas, kanë qenë nën mesataren, duke bërë që Qershori të ketë qenë më i freskët krahasuar me vitet e mëparshme. Meteorologët ndërkohë thonë se edhe pse moti do të jetë i paqëndrueshëm nuk do të jetë problematik qarkullimi detar pasi parametrat e erës do të jenë normale.