Vetëm Kosova e pavarur mund të ndërtojë një shoqëri demokratike
Është nder dhe privilegj i madh për mua të ndodhem sot, përpara jush, në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t'ju përshëndetur të gjithëve por sidomos për t'ju sjellë këtu urimin tim, urimin e gjithë popullit të Shqipërisë:
Ta gëzoni Kosovën e pavarur!
Ta gëzoni Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të këtij shteti sovran dhe demokratik!
Kur ndodhesha këtu, gjatë vizitës sime zyrtare, pothuajse një vit më parë, deklarova se pavarësia e Kosovës ishte çështje orësh. Ajo në fakt kishte ardhur. Ajo ndodhej në mendjet dhe në zemrat tuaja, ajo shikohej në buzët e të gjithëve. Ajo ndihej në ajrin e pastër të Kosovës.
Pavarësia e Kosovës erdhi ashtu siç vjen një lajm i shumëpritur, ashtu siç vjen një ditë e madhe, ashtu siç vjen një festë e bukur, ashtu siç vjen një rilindje.
Ne e festuam këtë ngjarje së bashku me miqtë tanë. Ju e festuat këtë ditë me shumë dinjitet, duke habitur jo vetëm skeptikët, por edhe kundërshtarët e pavarësisë. Ju treguat që në çastet e para se e meritonit këtë pavarësi historike, se meritonit përgjegjshmëri ndaj shtetasve tuaj dhe se meritonit partneritet ndaj aleatëve euroatlantikë dhe miqve të huaj.
Historia, më në fund, vendosi drejtësi, sepse përmbushi një vullnet, një aspiratë apo një ëndërr shekullore të një populli të shtypur; ajo shpërbleu shumë mund, djersë, gjak, dhimbje dhe sakrifica sublime; ajo nderoi shpirtin e një populli për të mos u përulur, revoltën e studentëve, Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë e saj, përpjekjet e liderit politik, Presidentit të ndjerë, dr. Rugovës, veprën heroike të Adem Jasharit dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për të vendosur drejtësi.
Por kjo fitore është vetëm përfundimi me sukses i një beteje të gjatë, lufta dhe sfida sapo ka filluar, ajo është thirrja për të ndërtuar paqen e mirëqenien e qëndrueshme dhe të ardhmen e sigurt të brezave.
Pavarësia e Kosovës erdhi sepse duhet të jepte shembullin pozitiv të një investimi të suksesshëm të demokracive perëndimore në një hapësirë të njohur tradicionalisht për dhunë etnike dhe politike, për të mbyllur përfundimisht kalvarin dhe makthin e stërzgjatur të shpërbërjes së perandorisë së fundit të dhunës në zemër të Evropës dhe zgjidhjen e çështjes së fundit të mbetur pezull të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria është e bindur se krijimi i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës krijoi kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Vetëm një Kosovë e pavarur mund të ndërtojë një shoqëri demokratike, një shoqëri të lirë dhe të drejtë, një shtet ku pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo shtetas i saj është i sigurt në pronën dhe shtëpinë e tij, ku si të rriturit, ashtu edhe fëmijët, mund të projektojnë natyrshëm të ardhmen e tyre.
Kjo nuk është vetëm bindja e Shqipërisë, kjo është bindja e besimi edhe i partnerëve tanë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve fqinjë apo jo fqinjë, të cilat mbështetën procesin e pavarësimit, njohën në kohën e duhur shtetin e ri të Kosovës si realitet të ri gjeopolitik ne Ballkanin Perëndimor dhe së bashku me të, po mbështesin partneritetin e brendshëm dhe të jashtëm të këtij shteti sovran. Fakti që Kosovën e kanë njohur deri tani 53 vende me peshë në arenën ndërkombëtare e shtete të tjera pritet ta njohin së shpejti, është argumenti i pakundërshtueshëm se ky proces është sa i ligjshëm, aq edhe i pakthyeshëm, pavarësisht përpjekjeve apo ndërmarrjeve të jashtme apo të brendshme për të kundërshtuar këtë të vërtetë evropiane.
Të nderuar deputetë,
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në një intervistë të programit në gjuhën shqipe të radios “Evropa e Lirë” më datën 12 nëntor 2005 deklaroi rreth zhvillimeve në Kosovë se, dhe po e citoj:
“Ne duhet të gjejmë rrugën për të jetuar të gjithë së bashku, për të punuar së bashku dhe të ecim përpara së bashku!”
Jam shumë i lumtur që Presidenti i Kosovës, Parlamenti i saj, Kryeministri dhe kabineti qeveritar gjithëpërfshirës po tregojnë, nëpërmjet pjekurisë e kulturës së tyre shtetformuese dhe politikës së tyre rajonale e të fqinjësisë, se dëshirojnë në mënyrë të sinqertë të ecin përpara së bashku. Jam këtu t’ju pohoj se Shqipëria do t’ju mbështesë dhe do t’ju inkurajojë në këtë rrugë të përbashkët: në rrugën e integrimit euroatlantik!
Do të kishim dëshirë të madhe që kjo frymë integrimi të mbështetej edhe nga vendet e tjera fqinje të Kosovës, sidomos nga Serbia, e cila, në fakt duhet të interesohet për minoritetin serb në Kosovë, duke bashkëpunuar me institucionet e ligjshme të këtij shteti sovran dhe të pavarur, si për të rimëkëmbur besimin reciprok të bashkëjetesës ndëretnike, ashtu edhe për t’i nxitur ata të gëzojnë të drejtat politike, ekonomike e sociale, që ua garanton Kushtetuta e Kosovës.
Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është parim universal. Ai duhet të jetë njëlloj i zbatuar sa në Shqipëri, aq edhe në Kosovë apo në Serbi, si në qendër të Shqipërisë, aq edhe në veri të Kosovës apo në Luginën e Preshevës.
Unë besoj se vullneti i palëkundur i autoriteteve të Kosovës, qëllimi e përgjegjësia e misionit bashkëpunues EULEX me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e KFOR-it nuk do të lejojnë që incidentet e dhunshme, të cilat jo vetëm mbjellin frikë e mosbesim në Mitrovicë, por edhe zgjojnë ëndrra të segmenteve të inkriminuara nacionaliste ballkanike, të sfidojnë qëllimet e larta të sovranitetit, të integrimit e të sigurisë jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit tonë. Dallimi midis atyre që gjenerojnë dhunë, atyre që e pësojnë atë dhe atyre që i kanë shpallur luftë asaj është parimor në situata të tilla. Kuptohet se integrimi i të gjitha komuniteteve etnike në shoqërinë kosovare dhe në jetën politike është një sfidë e vështirë, sidomos për komunitetin serb, por është rruga e vetme për të gjithë ata që besojnë në të ardhmen e tyre, rrugë e cila duhet të përballohet me sukses.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Shqipëria, së bashku me Kroacinë, do të bëhen shumë shpejt anëtare të aleancës më të madhe të sigurisë dhe të demokracisë në botë, NATO-s, duke shtrirë brezin e sigurisë dhe të zhvillimit në kufi me Kosovën. Shqipëria do të aplikojë së afërmi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, duke shtrirë vlerat evropiane në zemër të rajonit tonë.
Shqipëria dhe Kosova mund të japin shembullin e bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh dhe rajonal. Ne do të japim të gjithë përvojën tonë integruese dhe kapacitetet tona për të shpejtuar integrimin euroatlantik të Kosovës.
Republika e Shqipërisë po kërkon përfshirjen dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në tryezat shumëpalëshe e rajonale ku flitet e vendoset për të ardhmen e rajonit, ku zëri i saj do të dëgjohej për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal apo sfidave drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Si dy vende të përkushtuara ndaj platformave integruese dhe vlerave euroatlantike, ne kemi tashmë një strategji të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, duke i futur ato në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të tyre dinamik.
Interesat e përbashkëta në shumë fusha, domosdoshmërisht kërkojnë një rritje të intensitetit në rrafshin e shkëmbimeve tregtare e turistike, në fushën e investimeve reciproke dhe krijimin e një rrjeti unik të energjetikës si dhe në hapësirën e pafund të lidhjeve kulturore, arsimore e shkencore.
Qeveritë e të dy vendeve i kanë të gjitha hapësirat që vullnetin politik ta kthejnë në programe serioze bashkëpunimi në interes të drejtpërdrejtë të shtetasve tanë si në lehtësimin maksimal të lëvizjes së tyre nga të dy anët e kufirit, duke shtuar pikat kufitare e doganore e duke rritur sigurinë e tyre, ashtu edhe në drejtim të nxitjes dhe orientimit të burimeve të tyre financiare drejt investimeve serioze, afatgjata, të qëndrueshme e të sigurta.
Rruga Durrës - Morinë është investimi më i rëndësishëm infrastrukturor i Shqipërisë moderne. Nëpërmjet kësaj arterieje do të lëvizë zhvillimi, siguria, mirëqenia dhe burimet njerëzore jo vetëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe të vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore drejt porteve tona të detit Adriatik për t’u bashkuar me korridoret e shpejta detare.
Shqipëria dhe Kosova janë shprehur qartë dhe me vendosmëri se dëshirojnë t’i përkasin edhe politikisht Evropës së zhvilluar. Shtetasit tanë e meritojnë të lëvizin të lirë brenda kësaj bote të qytetëruar. Perspektiva e vetme dhe e sigurt është Brukseli euroatlantik. Ky është partneriteti që ne u ofrojmë miqve tanë ndërkombëtarë. Kjo është e ardhmja që ne u sigurojmë fëmijëve tanë.
*Presidenti i Republikës. Fjala në Kuvendin e Kosovës