E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perikli Dhales: “Stadiumi “Qemal Stafa, tani tjetër pamje”

Që në javët e fundit të kampionatit, stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" është mbyllur, duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total. Një rikonstruksion që nuk kryhej prej vitesh në këtë stadium dhe që tashmë synon t'i ndryshojë krejtësisht pamjen këtij impianti, që është nga më të vjetrit në Shqipëri. Sipas drejtorit të stadiumit, Perikli Dhales, njeriu që vendosi t'i rikthejë lavdinë e dikurshme impiantit, rikonstruksioni do të përfundojë në fund të muajit gusht. Në intervistën e dhënë për "Panorama Sport", Dhales shpjegon të gjitha punimet që janë kryer gjatë kësaj periudhe, të rejat që janë shtuar dhe pamjen që do të jetë impianti në fund të këtij muaji.
Zoti Dhales, mund të na thoni cilat janë investimet kryesore që janë bërë deri tani në kuadrin e rikonstruksionit të stadiumit "Qemal Stafa"?
Duke u nisur nga gjendja e keqe e stadiumit gjatë viteve të fundit, duke filluar që nga tapeti i barit dhe të gjitha ambientet përreth jashtë, dhe brenda, dhomat e zhveshjes, taraca, nyjet sanitare, u detyruam të bënim një rikonstruksion të plotë të stadiumit. Një rikonstruksion që synon t'i ndryshojë totalisht pamjen stadiumit dhe që do të bëjë atë të duket me të vërtetë si një impiant bashkëkohor.
Mund të na i shpjegoni saktësisht dhe cilat janë të ambientet e rregulluara dhe cfarë të rejash do të ketë "Qemal Stafa"?
Të rejat janë të shumta, duke filluar që nga tapeti i barit, që është edhe kryesori, është i një cilësie mjaft të mirë dhe shtresat nën tij janë ndërruar gjithashtu. Është në gjendje që të thithë me tonelata ujë dhe të duket sërish sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sigurisht, është punuar vetëm gjatë orëve të natës, pasi ditën kushtet atmosferike ishin të papërshtatshme. Firma i niste punimet në orën 21:00 dhe i mbaronte në orët e para të mëngjesit, duke shmangur rrezet e diellit. Përvec kësaj, nuk kemi pasur probleme me ujin, që ka ndihmuar shumë në ruajtjen e gjendjes së duhur. Edhe tualetet në tribunën karshi janë bërë të reja dhe nuk kanë ekzistuar më parë, kështu që tani stadiumi përmbush një tjetër kusht të përcaktuar në manualin e UEFA-s. Gjithashtu, taraca i është nënshtruar një rikonstruksioni model të plotë, duke qenë se ishte në gjendje të mjerueshme. Është bërë hidroizolimi, sipas projektit dhe standardeve të kërkuara.
Po për sa i përket ambienteve të brendshme të impiantit, cfarë është bërë konkretisht?
Një tjetër investim i konsiderueshëm ka qenë ai i dhomave të zhveshjes, ku qëndrojnë gjithmonë skuadrat gjatë ndeshjeve të kampionatit shqiptar. Gjendja e tyre ishte tejet e amortizuar. Bëhet fjalë për një rikonstruksion të plotë të korridorit, dhomave të zhveshjeve, banjove, që kanë ndërruar plotësisht pamje. Madje, mund të them se kjo pjesë tashmë është akoma e bukur dhe e mirë se sa dhomat e zhveshjeve, ku zakonisht qëndron kombëtarja sa herë që luan në Shqipëri. Për sa i përket pjesëve të brendshme të stadiumit, është në mbarim trotuari poshtë tribunës dhe parapeti i vendosjes së reklamave.
Kur është parashikuar që të përfundojë totalisht rikonstruksioni i plotë i "Qemal Stafës"?
Kanë mbetur edhe disa pjesë të tjera ku duhet vënë dorë dhe mendojmë se në fund të muajit gusht stadiumi do të jetë në gjendje pune, i gatshëm të presë ndeshjen e dytë të kombëtares shqiptare në eliminatoret e Evropianit, atë ndaj Rumanisë më datë 6 shtator. Mendoj se në këtë takim stadiumi do të ketë një pamje krejt tjetër, madje besoj se nuk mbahet mend se kur mund të ketë pasur për herë të fundit këtë pamje ky impiant.
Cfarë gjërash të tjera janë riparuar dhe cilat janë synimet tuaja në të ardhmen e afërt?
Është vënë dorë edhe në instalimet elektrike, që janë bërë të reja, ashtu si edhe instalimet hidraulike në të gjithë stadiumin. Kishte më shumë se 70 vjet që këto instalime nuk ishin prekur fare. Gjithashtu, shpresojmë në të ardhmen që të kemi edhe një tabelë elektronike të re, që na është premtuar nga disa firma që merren me të tilla pajisje dhe do të na sponsorizojnë. Nuk bëhet fjalë për këtë vit, pasi sipas bisedave që kemi bërë, mendohet që ajo të jetë e gatshme në fillim të vitit të ardhshëm. Në këtë periudhë kemi planifikuar që të ndërrojmë edhe të gjithë stolat e stadiumit, përvec tabelës. Ndërkohë, deri në fund të muajit gusht mendojmë të kemi montuar edhe një impiant të ri për ujin, që është goxha i kushtueshëm.
Sa është investuar deri tani në total dhe nga kanë ardhur fondet për këtë rikonstruksion?
Investimet janë bërë në radhë të parë nga shoqëria aksionere e stadiumit, ndërsa ka pasur sponzorime nga Banka Popullore, Sigma dhe disa firma të tjera, që na kanë ndihmuar për disa ambiente të vecanta. Shuma e investuar deri tani kap një total prej 20 milionë lekësh, por do të ketë edhe investime të tjera. Mendojmë se deri tani është kryer pothuajse 90% e rikonstruksionit të ambienteve të stadiumit dhe thuajse plotëson të gjitha kushtet që kërkon UEFA për licensimin e stadiumit për ndeshje ndërkombëtare.
Intervistoi: Fatjon Kodra
Panorama Sport
Shifrat e stadiumit

68 vjec
është "mosha" e impiantit më të madh të futbollit. Stadiumi është ndërtuar në vitin 1938 nga arkitektë italianë, ndërkohë që vazhdon të jetë më i miri.

18 mijë
vende është kapaciteti i stadiumit kombëtar "Qemal Stafa". Bëhet fjalë për vendet ulur, duke qenë se stadiumi është i pajisur në të gjitha tribunat me stola.

25 milionë
lekë të reja mendohet të investohet këtë herë në rikonstruksionin e stadiumit. Deri tani janë investuar rreth 20 milionë lekë, por riparimet s'kanë mbaruar ende.

Shtrimi i tapetit
Një nga etapat më të vështira të rikonstruksionit të fushës ka qenë shtrimi i tapetit të fushës, që vihej në rrezik nga temperaturat e larta që kanë mbizotëruar gjatë kësaj periudhe. Firma ka kryer zëvendësimin e barit, është detyruar të punojë gjatë orëve të natës, për të shmangur rrezet e forta të diellit gjatë ditës. Përvec kësaj, nuk ka pasur problem me ujin, që ka ndihmuar shumë në ruajtjen e gjendjes së duhur të fushës. Dhales ka mohuar që tapeti të ketë probleme më vonë, për shkak të temperaturës së lartë gjatë kohës që është shtruar.

Dhomat e zhveshjeve
Në ambientet e brendshme, ajo që të bie menjëherë në sy është riparimi total i dhomave të zhveshjes, që zakonisht përdoren nga lojtarët e kampionatit shqiptar. Korridori i vjetër është veshur me gips, ndërsa janë vënë edhe tavane të varura, duke bërë që pamja të ndryshojë totalisht. Edhe dhomat e zhveshjeve janë bërë krejtësisht të reja, madje deri diku edhe më të bukura se ambientet që përdoren nga ekipet kombëtare. Këto ambiente do t'i nënshtrohen vetëm një rikonstruksioni sipërfaqësor, duke qenë se nuk kanë probleme të mëdha.

Fasada e impiantit
Një rëndësi të vecantë po i kushtohet në këtë fazë edhe fasadës së impiantit. Pas përfundimeve të punimeve kryesore dhe më të rëndësishme, firma që ka fituar tenderin është duke u kujdesur njëkohësisht edhe për fasadën, që synon t'i rikthejë stadiumit shkëlqimin e humbur. Në fakt, shenjat e para të këtij procesi mund të vihen re në pjesën e përparme të stadiumit, që ka ndryshuar deri diku pamje. Shumë shpejt, pasi impianti të jetë cliruar nga të gjitha ndërtimet përreth, do të ketë një fytyrë krejt ndryshe nga c'e kishte më parë.

Instalimet dhe taraca
Ndër punimet më të rëndësishme kanë qenë zëvendësimi instalimeve hidraulike dhe eletrike, që sipas drejtorit të stadiumit, Perikli Dhales, nuk prekeshin prej më shumë se 70 vjetësh. Një rikonstruksion total dhe mjaft i rëndësishëm, që ka thithur një shumë të konsiderueshme. Përvec kësaj janë kryer edhe punimet në taracën e tribunës kryesore, ku është bërë hidroizolimi. Ndërkaq, janë shtuar edhe tualetet publike për tifozët në tribunën karshi, që për cudinë e të gjithëve nuk ekzistojnë në asnjë nga stadiumet shqiptare.

Impianti/ Historiku i stadiumit kombëtar
Stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" është ndërtuar në vitin e largët 1938 dhe ka një arkitekturë klasike italiane të asaj kohe. Ai që njihet si tempulli i futbollit shqiptar, është impianti më i madh që ekziston në Shqipëri dhe i pajisur me një pistë të shtruar me tartan, e vetme në Shqipëri. Aktualisht, stadiumi llogaritet të ketë rreth 18 mijë vende të ulura dhe është i pari i pajisur me ndricim në Shqipëri. Stadiumi njihet po aq mirë edhe jashtë vendit, duke qenë se historikisht në të ka luajtur të gjitha ndeshjet brenda kombëtarja shqiptare e futbollit. Në të kanë luajtur emra të mëdhenj të futbollit botëror, që janë përballur me përfaqësuesen kuqezi ndër vite. Përvec kësaj, aty janë luajtur edhe takimet më të rëndësishme të klubeve shqiptare në kompeticionet evropiane dhe ato kombëtare. Në të luajnë të gjitha ndeshjet brenda skuadrat kryeqytetase, Dinamo dhe Partizani. Gjatë historisë së tij 72-vjecare, stadiumi i është nënshtruar disa rikonstruksioneve, që kanë qenë më të shpeshta pas viteve ‘90. "Qemal Stafa" është stadiumi me kapacitetin më të madh në vend dhe pret gjithashtu të gjitha garat kombëtare të atletikës. Rikonstruksioni i sivjetshëm është më i madhi që është kryer ndonjëherë në këtë impiant, pasi bëhet fjalë për riparim total në të gjitha ambientet. Shuma që do të investohet mendohet të arrijë shifrën 25 milionë lekë të reja. Stadiumi menaxhohet nga një shoqëri aksionere. F. Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›