E Diel, 1 Nëntor 2026

Perikli Dhales, sportisti që po i rikthen sportit “Qemal Stafën”

Nga Altin B. Kodra (Standard)
Që nga emërimi i tij në krye të impiantit më të madh sportiv në Shqipëri, Dhales u ka rezistuar presioneve dhe e ka shndërruar imazhin e Stadiumin Kombëtar nga një mish-mash lokalesh, servisesh apo lavazhesh, në një tempull të sportit. Në ditët e tij si futbollist, Perikli Dhales njihej si kundërshtar që nuk para të hapte rrugë dhe nuk e njihte kompromisin, duke qenë i famshëm për atë episod të pazakontë të periudhës së regjimit komunist, kur, duke mos qenë në gjendje ta ndalte kundërshtarin, e kapi atë nga të mbathurat, duke ia grisur ato. Dhe vitet pak kanë bërë për ta ndryshuar sportistin me trup të ngjeshur, tashmë, natyrisht, paksa mbi peshë, dhe vetë puna e tij në këto muaj të parë të emërimit të tij në krye të Sh.a. së Qendrave sportive, tregon se mbetet po ai sportisti luftarak në shpirt. Pasi ka trashëguar një stadium kombëtar me një fushë në një gjendje të mjeruar, me mjedise të brendshme në një gjendje për të ardhur keq dhe të mbytur rreth e rrotull nga lokale të shumta, servise apo lavazhe makinash, Dhales mori përsipër rikthimin e impiantit më të madh sportiv në origjinë, pra, në një tempull të sportit në përgjithësi dhe futbollit në vecanti. Nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse, sikundër në cdo aspekt të jetës në Shqipëri gjatë 8 viteve të qenies në pushtet të Partisë Socialiste, edhe rreth e rrotull "Qemal Stafës", konjukturat rozë kishin thurur rrjetat e tyre të interesave. Gjithsesi, tashmë gjithcka është davaritur dhe i mbiquajturi "Uembli" i futbollit shqiptar, merr frymë lirisht, ndërkohë që vetë drejtori i tij Dhales, konfirmon se puna për rinovimin e impiantit sportiv në përgjithësi ka përfunduar, ndërsa vazhdon vetëm ajo për rehabilitimin e pjesës së jashtme të tij. Por, cfarë ka ndryshuar konkretisht te "Qemal Stafa". "Është një rikonstruksion që synon t'i ndryshojë totalisht pamjen stadiumit dhe që do të bëjë atë të duket me të vërtetë si një impiant bashkëkohor", pohon Dhalesi duke folur për gazetën "Standard" pak para se impianti i rinovuar të përurohet me ndeshjen eliminatore të kuqezinjve ndaj Rumanisë. "Duke u nisur nga gjendja e keqe e stadiumit gjatë viteve të fundit, që nga tapeti i barit dhe të gjitha ambientet përreth jashtë, dhe brenda, dhomat e zhveshjes, taraca, nyjet sanitare, u detyruam të bënim një rikonstruksion të plotë të stadiumit. - vijon ai. - Duke filluar që nga tapeti i barit, që është edhe kryesori, është i një cilësie mjaft të mirë dhe shtresat nën tij janë ndërruar gjithashtu. Është në gjendje që të thithë me tonelata ujë dhe të duket sërish sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sigurisht, është punuar vetëm gjatë orëve të natës, pasi ditën kushet atmosferike ishin të papërshtatshme." Më tej, Dhales sqaron edhe detaje të tjera të rinovimit të stadiumit. "WC-të në tribunën karshi janë bërë të reja dhe nuk kanë ekzistuar më parë, kështu që tani stadiumi përmbush një tjetër kusht të përcaktuar në manualin e UEFA-s, - shpegon ish-futbollisti i Tiranës. - Gjithashtu, taraca i është nënshtruar një rikonstruksioni model të plotë, duke qenë se ishte në gjendje të mjerueshme. Është bërë hidroizolimi, sipa projektit dhe standardeve të kërkuara. Një tjetër investim i konsiderueshëm ka qenë ai i dhomave të zhveshjes, ku qëndrojë gjithmonë skuadrat gjatë ndeshjeve të kampionatit shqiptar. Gjendja e tyre ishte tejet e amortizuar. Bëhet fjalë për një rikonstruksion të plotë të koridorit, dhomave të zhveshjeve, banjove, që kanë ndërruar plotësisht pamje." Por këto nuk janë punimet e vetme që janë bërë në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa", pasi drejtoir Dhales vijon më tej, duke shpjeguar edhe ndryshime të tjera që do t'i bëhen këtij impianti gjatë viteve të ardhshme. "Është vënë dorë edhe në instalimet elektrike, që janë bërë të reja, ashtu si edhe instalimet hidraulike në të gjithë stadiumin, - thotë ai. - Kishte më shumë se 70 vjet që këto instalime nuk ishin prekur fare. Gjithashtu, shpresojmë në të ardhmen që të kemi edhe një tabelë elektronike të re, që na është premtuar nga disa firma që merren me të tilla pajisje dhe do të na sponsorizojnë. Nuk bëhet fjalë për këtë vit, pasi sipas bisedave që kemi bërë, mendohet që ajo të jetë e gatshme në fillim të vitit të ardhshëm." Shuma e investuar deri tani kap një total prej 20 milion lekësh, por do të ketë edhe investime të tjera. "Mendojmë se deri tani është kryer pothuajse 90% e rikonstruksionit të ambienteve të stadiumit dhe thuajse plotëson të gjitha kushtet që kërkon UEFA për licencimin e stadiumit për ndeshje ndërkombëtare, - thotë Dhalesi. Një rëndësi të vecantë po i kushtohet në këtë fazë edhe fasadës së impiantit. Pas përfundimeve të punimeve kryesore dhe më të rëndësishme, firma që ka fituar tenderin është duke u kujdesur njëkohësisht edhe për fasadën, që synon t'i rikthejë stadiumit shkëlqimin e humbur. Në fakt, shenjat e para të këtij procesi mund të vihen re në pjesën e përparme të stadiumit, që ka ndryshuar deri diku pamje. Shumë shpejt, pasi impianti të jetë cliruar nga të gjitha ndërtimet përreth, do të ketë një fytyrë krejt ndryshe nga c'e kishte më parë. Stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" është ndërtuar në vitin e largët 1938 dhe ka një arkitekturë klasike italiane të asaj kohe. Ai që njihet si tempulli i futbollit shqiptar, është impianti më i madh që ekzsiton në Shqipëri dhe i pajisur me një pistë të shtruar me tartan, e vetme në Shqipëri. Aktualisht, stadiumi llogaritet të ketë rreth 18 mijë vende të ulura dhe është i pari i pajisur me ndricim në Shqipëri. Stadiumi njihet po aq mirë edhe jashtë vendit, duke qenë se historikisht në të ka luajtur të gjitha ndeshjet brenda kombëtarja shqiptare e futbollit. Në të kanë luajtur emra të mëdhenj të futbollit botëror, që janë përballur me përfaqësuesen kuqezi ndër vite. Përvec kësaj, aty janë luajtur edhe takimet më të rëndësishme të klubeve shqiptare në kompeticionet evropiane dhe ato kombëtare. Në të luajnë të gjitha ndeshjet brenda skuadrat kryeqytetase, Dinamo dhe Partizani. Gjatë historisë së tij 72-vjecare, stadiumi i është nënshtruar disa rikonstruksioneve, që kanë qenë më të shpeshta pas viteve ‘90. "Qemal Stafa" është stadiumi me kapacitetin më të madh në vend dhe pret gjithashtu të gjitha garat kombëtare të atletikës. Rikonstruksioni i sivjetshëm është më i madhi që është kryer ndonëherë në këtë impiant, pasi bëhet fjalë për riparim total në të gjitha ambientet. Shuma që është investuar mendohet të ketë arritur shifrën 25 milionë lekë të reja. Stadiumi menaxhohet nga një shoqëri aksionere, drejtor i së cilës është z. Perikli Dhales.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›