SHBA, "shuplakë" tjetër për qeverinë
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Shqipëria është vend burimi për trafikimin e grave dhe vajzave, që më pas shfrytëzohen. Në raportin për trafikimin e qenieve njerëzore, DASH tërheq vëmendjen se Shqipëria nuk ka arritur të marrë masa për parandalimin e trafikut, duke bërë publike një të dhënë rrëqethëse, se gjysma e të trafikuarave janë nën moshën 18 vjeç. Në këtë raport deklarohet se Shqipëria është një vend burimi për gra dhe vajza të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual, për përfitim dhe punë të detyruar, por ajo nuk konsiderohet më si një vend kryesor tranzitimi. "Viktimat shqiptare trafikohen në Greqi, Itali, Maqedoni e Kosovë dhe shumë prej këtyre trafikohen më tej për në vende të Evropës Perëndimore. Afro gjysma e të gjitha viktimave shqiptare të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç. Trafikimi i brendshëm për seks i femrave dhe fëmijëve është në rritje", thuhet në raportin e DASH-it. Ndërkohë, më tej citohet se qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit. Megjithatë, DASH vlerëson se ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. "Qeveria e Shqipërisë është vendosur në listën e vrojtimit të grupit 2, për shkak se dështoi të demonstronte prova të përpjekjeve, në rritje për të luftuar trafikimin gjatë vitit të shkuar, sidomos në fushën e mbrojtjes së viktimave. Qeveria nuk identifikoi si duhet viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007. Gjithashtu, ajo nuk ka demonstruar se po heton apo ndjek penalisht në mënyrë energjike zyrtarët fajtorë", vijon më tej raporti. Ndërkaq, rekomandohet që Shqipëria të ndjekë penalisht në mënyrë energjike krimet e trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe bashkëfajësinë e zyrtarëve ligjzbatues në trafikim, si dhe të ndëshkojë dhe dënojë personat përgjegjës për akte të tilla. Siç ka vlerësuar Departamenti Amerikan, qeveria shqiptare nuk paraqiti fakte bindëse për përparim në përpjekjet ligjzbatuese për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit 2007. "Gjatë periudhës së raportimit, njësitë rajonale antitrafikim të policisë mbetën të trajnuara dobët dhe të pajisura keq për të trajtuar efektshëm trafikimin njerëzor, për shkak të burimeve të pamjaftueshme, ndikimit të korrupsionit dhe ndërrimeve të shpeshta të rekrutëve të policisë. Qeveria ndaloi trajnimin për oficerët e rinj dhe ekzistues të policisë, megjithëse trajnimi për gjyqtarët dhe magjistratët vazhdoi. Midis qershorit dhe korrikut 2007, qeveria pushoi nga puna afro 20% e oficerëve të policisë, që kishin qenë të specializuar dhe kishin marrë shumë trajnim, si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për ristrukturimin e policisë", detajon raporti. Më tej, në raport deklarohen një sërë faktesh të tjera, ku qeveria ka dështuar në luftën kundër trafikut të femrave dhe mbrojtjen e këtyre viktimave. "Aftësia e qeverisë për të financuar shërbimet e mbrojtjes dhe ndihmës ishte e kufizuar; megjithatë, ajo administronte një strehë kujdesi për viktimat në Tiranë", deklaron Departamenti i Shtetit.
Parandalimi
Projektet shqiptare
për antitrafikun
Departamenti i Shtetit Amerikan nuk ka harruar të përmendë edhe se qeveria e Shqipërisë vuri në zbatim një numër veprimtarish për parandalimin e trafikimit, por lejoi që plani i saj kombëtar antitrafikim i veprimit të skadonte. Në nëntor 2007, Ministria e Brendshme mori përsipër financimin e linjës së posaçme 24 orë falas për viktimat e mundshme të trafikimit nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin dhe IOM-i. Ministria e Arsimit përfshin në programin e shkollës së mesme ndërgjegjësim mbi rreziqet e trafikimit. Qeveria vazhdoi zbatimin e ligjit antiskaf, duke deklaruar të jashtëligjshme praktikisht të gjitha mjetet e ujit përgjatë bregut shqiptar dhe duke çuar në një rënie domethënëse në trafikimin e personave për në Itali, pjesa më e madhe e të cilit kryhej me varka në të kaluarën. Gjatë periudhës së raportimit, komunikimi midis qeverisë dhe OJQ-ve u përmirësua pas një periudhe marrëdhëniesh të sforcuara.