Meta: Koalicioni me PD-në, vendim historik
TIRANË Kryetari i LSI-së, Ilir Meta akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, si shkaktarin kryesor të bllokimit të integrimit të vendit. Në konferencën zgjedhore të LSI-së së Shkodrës, Meta theksoi se bllokimi i integrimit u bë nga ngërçi politik i sforcuar nga një person, i cili sipas tij, vendosi interesat personale mbi interesat kombëtare. Meta foli edhe për zgjedhjet e 8 majit dhe rezultatin pozitiv që pati kjo forcë politike. ‘Nuk ishin të paktë ata që parashikonin që ato 80 e ca mijë zemrat që ishin “braktisur” nga LSI-ja do të pushonin. Pas vendimit historik të LSI-së për të bërë një koalicion për interesat e vendit dhe për interesat e integrimit europian, ato jo vetëm që nuk do të pushonin së rrahuri për Lëvizjen Socialiste për Integrim, por u shtuan edhe me 40 mijë zemra të tjera. Në zgjedhjet e 2013-ës, të jeni të sigurt ju se do të ketë një rritje shumë herë më të madhe sepse ne jemi një forcë politike që jo vetëm është realiste, jo vetëm është një forcë e re pa paragjykime, një forcë, e cila edhe në koalicion di të tregojë dallimet e saj, di të tregojë vlerat e saj, por njëkohësisht jemi një forcë e orientuar drejt interesave kombëtare dhe interesi më i madh sot kombëtar është integrimi i vendit”, - tha Meta.