E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjetë te Barça

Ylli argjentinas, Lionel Messi, ka thënë se nuk planifikon të largohet kurrë nga Barcelona. Sulmuesi i klubit katalunas e ka dhënë një intervistë për të përditshmen britanike, Daily Express, ku e ka shprehur gjithë dashurinë që ndien për kampionin e botës dhe të Evropës. 22-vjeçari e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të transferohet ndonjëherë në futbollin anglez.

“Nëse një ditë do të luaj në Angli? E kam thënë gjithmonë që dëshiroj të mbetem përjetë në Barcelonë. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës këtij klubi, i cili ma ka ndryshuar jetën. Do të rri këtu derisa më dëshiron klubi”, tha Messi.

Përfaqësuesi argjentinas e ka ftuar në ekip edhe mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas, për të cilin thotë se do të ishte i mirëseardhur te Barcelona.

“Fabregas e ka një pjesë të zemrës në Arsenal, por e ka Barçën në gjak. Unë e pres këtu. Cesc dëshiron të fitojë shumë tituj, ndërsa e pres këtu që të fitojmë së bashku në Barça, edhe pse nuk e di se kur. Për të, Arsenali është si një familje, ka një raport fantastik me Wengerin dhe me tifozët, por Barcelona është qyteti dhe klubi i tij. Janë shumë futbollistë që kanë mundësi ta përmirësojnë skuadrën tonë dhe Fabregas është njëri prej tyre”, vazhdoi Messi për Daily Express.

Mirëpo, menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, nuk ka hequr dorë ende nga ylli i ekipit të tij, duke e hedhur poshtë mundësinë e rikthimit të 22-vjeçarit në atdhe.

“Do të vendosim ne. Dëshironi ta shikoni se sa zgjat kontrata e tij (deri më 2014)? Lojtarëve që u skadon kontrata, mund të nënshkruajnë për kë të duan, ndërsa e vendosim ne të ardhmen e futbollistëve që kanë kontratë. Nuk kemi nevojë të shesim për të përfituar para. Do të ishte jokorrekte nëse i shesim lojtarët e rinj pikërisht kur janë të gatshëm për të fituar”, tha Wenger për Daily Mail.

Ai shtoi se nuk mund t’i ndalë zërat që arrijnë nga Spanja, por konfirmoi se te “Topçinjtë” nuk ka futbollistë të pakënaqur. Madje, sipas tij, të gjithë futbollistët që janë larguar nga ky ekip, dëshirojnë të rikthehen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›