E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Përjetësia” e Anagnostit nesër në kinemanë e AQSHF-së

Java e dytë e Muajit Anagnosti në kinemanë e AQSHF do të vijojë nesër me shfaqjen e dokumentarit “Përjetësia”. Dokumentari, i cili u ndalua për shkak të imazheve ndryshe që sillte në ekranin e kinemasë, ishte projektuar në fakt t’i dërgohej dhuratë për ditëlindje diktatorit, por që në momentin e fundit u ndalua. Përjetësia është një dokumentar poetik për dëshmoret e luftës. Filmi shoqërohet me të rrahura zemre dhe muzikë. U quajt modernist për kohën, për nga karakteri i veçantë regjisorial dhe u ndalua. Filmi nuk u shfaq kurrë, madje as për vetë realizuesin e tij regjisorin Dhimitër Anagnosti. Ashtu si dhe të mërkurën e parë, edhe nesër në panel do të ulet vetë regjisori dhe kineastët e tjerë realizues të filmit për të bashkëbiseduar me studentët e Akademisë së Arteve dhe gazetarët. “Përjetësia” është realizuar me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti, muzika Kujtim Laro, operator Dhimitër Anagnosti dhe montazhi nga Kujtim Laro. Pas dokumentarit do të shfaqet dhe filmi artistik me metrazh të gjatë “Lulëkuqet mbi mure”, me skenar të Petraq Qafezezit, Dh. Anagnostit; muzika Kujtim Laro, operator Pullumb Kallfa, piktor Namik Prizreni dhe montazhi Marika Vila. Për filmin “Lulëkuqe mbi mure” në panelin e diskutimeve do të jetë dhe aktori Strazimir Zajmi, që është pjesë e kastit të aktorëve që kanë interpretuar në këtë film: Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Enea Zhegu, Alfred Kote, Enver Dauti, Liza Laska etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›