E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e majit 1990 e kreut të OKB, Perez de Kuelar në Tiranë

SHKRUAN: Shpëtim Koli 18-01-2011 11:53

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Havier Perez de Kuelar, bëri një vizitë në Shqipëri në muajin e fundit të pranverës së vitit 1990. Vendi sapo kishte lajmëruar fillimin e disa reformave në kuadrin e “demokratizimit” të jetës së vendit. Vizita e sekretarit të përgjithshëm vinte pas ndryshimeve në legjislacioni penal të 8 majit 1990. Këtë datë, Kuvendi Popullor kishte vendosur ndër të tjera edhe heqjen e nenit të “tradhtisë ndaj atdheut”. Pikërisht për këto arsye, Havier Perez de Kuelar kishte një arsye më shumë për të vizituar Shqipërinë, vendin e fundit në Europë që vazhdonte të mbante sistem qeverisës rendin socialist. Havier Perez de Kuelar mbërriti në Shqipëri më 11 maj 1990. Në takimin e parë me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Reiz Malile, kreu i OKB-së vlerësoi “evoluimin” hap pas hapi të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm shqiptar deklaronte se ndryshimet që kishin ndodhur në Europë sillnin nevojën e uljen e frymës së blloqeve e forcimin e rolit të OKB-së.

Ramiz Alia nga ana e tij thoshte se Shqipëria udhëhiqej nga idetë socialiste dhe nga mësimet e nxjerra nga historia, ndërsa socializmi, sipas tij, nuk ishte një model unik. Duke mohuar traditën e mëparshme parlamentare të para vitit 1946, Alia u shpreh se Shqipëria nuk kishte mundur të bënte as 50 vjet parlamentarizëm, ndërkohë që në të vërtetë kjo ishte 70 vjet. Ai shprehu edhe njëherë kërkesën e që Shqipëria të pranohej në KSBE, nga e cila vendi ynë nuk kishte pranuar anëtarësim në vitin 1975.

Në fund të muajit, më 30 maj 1990, Ramiz Alia priti kongresmenin amerikan Tom Lantosh e ish-kongresmenin Joseph Dioguardi, ndërkohë që Shqipëria akoma nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-në. Më 5 qershor 1990, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë, Ramiz Alia u shpreh se revolucionarizimi i jetës së vendit përfshinte të gjithë sektorët e jetës.

Vizita e Havier Perez de Kuelarit në Shqipëri, pati edhe një shenjë të mirë, pasi pas dy muajsh ai do negocionte për zgjidhjen e krizës së 2 korrikut 1990.

Por si shikohej kjo vizitë në opinionin shqiptar, në mjediset politike të asaj kohe? Përgjithësisht ka pasur një befasim nga kjo vizitë e papritur. Opinioni i brendshëm ishte mësuar ta cilësonte rolin e OKB-së si inaktiv, sepse drejtohej nga “imperializmi amerikan”. Po këtu afër qëndronte edhe figura e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, si “përfaqësues i borgjezisë”. Akoma më larg ishte klasa politike e kohës, e cila nuk e kuptonte fare se çfarë donte “përfaqësuesi i borgjezisë” në Shqipëri. Sekretarë të parë të komiteteve të Partisë së Punës në rrethe, ishin krejt të çoroditur në lidhje me vizitat e Havier Perez de Kuelarit apo kongresmenëve amerikanë, pasi këto çështje Alia nuk i konsultonte me ta. Të gjendur në këtë pozitë, shumë prej zyrtarëve komunistë shprehnin në popull opinionet personale. Sekretari i parë i Komitetit të PPSH-së së Durrësit në atë kohë ka qenë Muho Artunda (përndryshe Asllani). Opinionet e tij të çoroditura kishin bërë përshtypje. Nga ana tjetër, për të sqaruar pozitën e sekretarit të parë të Durrësit, kishte shkuar për të biseduar “gju më gju me popullin” sekretarja e Komitetit Qendror të PPSH-së, Lenka Çuko. Të gjitha këto zhvillime bëheshin në kohën kur në Tiranë kishte plasur kriza e ambasadave dhe çoroditja ishte bërë më e madhe.

***

Informacion nga Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës për zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi

10 korrik 1990

Shtetasi Asllan H., anëtar partie, me banim në Bajzë informon se në këtë zonë, nga persona të veçantë, bëhen këto komente për ngjarjet e ndodhura në Tiranë ditët e fundit e njoftimet që ka dhënë shtypi jonë si dhe për zbërthimet që janë bërë për plenumin e 10-të të KQ të PPSH.

“Kanë arrestuar ministrin e Punëve të Brendshme, por e mbajnë fshehur, sepse është situata e tillë”.

“Në Tiranë një polic ka rrahur me shkop gome një person të cilit i ka shkaktuar vdekjen. Ky problem është analizuar në Byronë Politike të KQ dhe është shkarkuar nga posti Sekretari i Komitetit Qendror që mbulon organet e Punëve të Brendshme”.

“Sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Durrësit ka shkuar në portin e këtij qyteti dhe ka bërë disa shpjegime lidhur me Plenumin e 10-të të KQ të Partisë. Kur është pyetur nga punëtorët se cili ishte qëllimi i vizitës së Perez de Kuelarit, ai ka thënë: “Perez de Kuelari ishte pleh i borgjezisë, edhe vetë ai është borgjez, neve ndjekim rrugën e Enver Hoxhës, pavarësisht se ai është takuar me Udhëheqësin e Partisë. Plenumi i 10-të nuk është kushedi çfarë”.

Për këtë problem punëtorët i kanë bërë letër shokut Ramiz Alia, i cili ka çuar në port sekretaren e Komitetit Qendror të Partisë, për sqarim. Ajo ka mbrojtur Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të Durrësit dhe punëtorët i kanë thënë: “Ti shko e puno në kooperativën e Krutjes, sepse atje e ke vendin e jo këtu”.

Për këto probleme kemi informuar edhe Komitetin e Partisë të Rrethit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›