Përkrahës të deputetëve sërish në protesta

Përkrahës të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe të Partisë Demokristiane (PDK), të grumbulluar sot në mbrëmje në sheshin përballë Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje për deputetët e këtyre partive, të cilët ndodhen në një grevë urie që nga e hëna e kësaj jave nën moton "për mbrojtjen e votës së lirë". Zëdhënësi i kësaj greve, Dritan Prifti, informoi mediat mbi takimin e fundit me deputetët brenda sallës së Kuvendit. "I njoha deputetët grevistë me një letër që një grup intelektualësh shqiptarë i kanë drejtuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit, etj për të ndërhyrë në mënyrë urgjente në zgjidhjen e krizës politike", tha Prifti. Ndër të tjera, z. Prifti tha se Edi Rama duhet të reagojë me urgjencë lidhur me këtë çështje. Lidhur me gjendjen shëndetësore të grevistëve, zëdhënësi Prifti tha se situata është kritike, sidomos për deputetin e PDK-së, Ymer Tola, i cili dje u dërgua me urgjencë në spital, por që sërish u rikthye në grevë.Edhe pse protesta është lajmëruar për nesër pazdite shihen njerëz të mbledhur para kuvendit në mbështetje të deputetëve grevistë