Topi në Qipro: Takimi, do ti shërbejë bashkëjetesës shpirtërore

Presidenti i Republikës Bamir Topi në Takimin Ndërkombëtar : "Qytetërimi i Paqes: Besime dhe kulturë në Dialog" në fjalimin e tij shprehu kënaqësinë dhe rëndësinë e këtij takimi. Ky takim ndërkombëtar mbahet sot kur njerëzimi, më shumë se kurrë, e ndjen nevojën e qartësimit të së ardhmes së vet, për të ndërtuar një botë më të bukur, më të qetë, më të begatë dhe më të zhvilluar. Debati mbi qytetërimet, formimin e lulëzimin, bashkëjetesën e ndërthurjen, identitetin e larminë e tyre, është po aq i vjetër sa vetë njerëzimi. Shkollat dhe teoritë e trajtimit dhe të interpretimit të tyre janë të shumëllojshme, të shoqëruara sa me të vërteta e realizëm aq edhe me spekullime, keqinterpretime e shtrembërime. Historianë, filozofë, sociologë, studiues të besimeve, politikanë e institucione të specializuara janë përfshirë sot në këtë diskutimin global krahas çështjeve të tjera të rëndësishme të karakterit politik, ekonomik, social, ekologjik dhe të sigurisë u shpreh në fjalimin e tij Presidenti Topi. Me besimin se ky shkëmbim mendimesh, pikëpamjesh dhe konceptesh do t'i shërbejë vizionit të bashkëjetesës shpirtërore e do t'i kontribuojë të ardhmes së fëmijëve tanë, i uroj punë të mbarë punimeve të takimit tonë e mbylli fjalimin presidenti Topi.