E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallen 12 më të mirët

Çmimet

Zgjidhen 12 artistët më të mirë për vitin 2007. Mbrëmjen e së enjtes, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbyll gara e 48 artistëve të cilët konkurruan në 12 fusha, në artet pamore, skenografi, instrument, regji, aktrim, film dokumentar, album muzikor, balet, opera dhe në fushën e librit artistik dhe enciklopedik. Për çdo zhanër kandiduan 4 artistë, prej të cilin vetëm njëri meritoi trofeun “Kult. Mbrëmja u prezantua nga artisti i mirënjohur Bujar Kapexhiu, si dhe nga aktorja e re Olta Gixhari.

Çmimin për librin më të mirë artistik të vitit e fitoi shkrimtari Fatos Kongoli, me romanin me titull “Jetë në kuti shkrepsesh”. “Vlerësimi me këtë çmim do të thotë që do të vazhdoj përsëri të shkruaj”,- u shpreh Kongoli gjatë tërheqjes së trofeut. Çmimin për librin më të mirë enciklopedik të vitit e mori Aleksandër Meksi, me veprën studimore “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë”. Çmimin për filmin dokumentar më të mirë të vitit e mori Petro Lati. Çmimin për interpretuesin lirik e mori sopranoja dramatike Irini Nikolla, me operan “Aida”. Çmimin aktorja më e mirë e vitit e fitoi , Eva Alikaj, për interpretimin në muzikalin “Lola Blau”. Për artisten që prej vitesh është larguar nga Shqipëria çmimi më i madh është fakti që publiku ende e do dhe e vlerëson. Ndërsa çmimin artisti pamor më i mirë i vitit e mori piktori Hasan Nallbani, me një ekspozitë të përbashkët “Mrekullia e dashurisë”, e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, kushtuar Nënë Terezës. Skenografi më i mirë i vitit u shpall artisti Agim Zajmi me dramën “Pamje nga ura”. Po nga kjo vepër doli edhe regjisori dhe aktori më i mirë i vitit, Albert Minga dhe Timo Flloko në rolin e Edi Karbones. “Çmimet, trofetë sigurisht që kanë vlerë, por janë të përkohshme, rolet dhe veprat uroj që t'i rezistojnë kohës",- tha Flloko. Instrumentisti më i mire u shpall pianistja Rudina Ciko për koncertin me krijimtari të Shopenit. Çmimin balerini më i mirë i vitit e mori balerina e re Erisa Gina. Albumi muzikor më i mirë i vitit u shpall ai i këngëtares Rovena Dilo me përmbledhjen “Dorëzohem”. Votimet për artistin më të mirë u bënë nëpërmjet internetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›