E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet 1-vjetori i rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli

20-02-2013 / Gazeta 55

Ministri Imami: Shpirti i tij do të prehet përjetësisht në altarin e lirisë të kombit shqiptar. Ai do të përmendet si shembull i shkëlqyer dhe heroik në çdo apel të kontingjenteve tona, që do të nisen në operacionet jashtë vendit. Ne do të përulemi gjithnjë me respekt përpara veprës dhe sakrificës së tij në shërbim të paqes e sigurisë, si ushtarak model.

Sot paradite, në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr është zhvilluar një ceremoni e veçantë përkujtimore me rastin e 1-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli gjatë kryerjes së misionit COMBAT “Eagle 4” në Kandahar të Afganistanit.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, z. Leonard Demi, zv.ministrat e Mbrojtjes, z. Arian Starova dhe z. Ekrem Spahiu, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, familjarë dhe të afërm të kapiten Feti Voglit.
Gjithashtu i pranishëm ishte ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. Alexandër Arvizu, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë etj.

Ceremonia përkujtimore ka nisur me përurimin e bustit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli. Pas mbajtjes një minut heshtje në kujtim të kapiten Feti Voglit dhe ekzekutimit të Himnit Kombëtar, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, duke marrë fjalën theksoi: “Dëshira jonë do të ishte që sot të mos ishim këtu, që kapiten Feti Vogli të ishte mes nesh, pranë familjes, miqve e kolegëve të tij. Kjo është e pamundur, ndaj detyra jonë është që ne të përkujtojmë me dashuri, përunjësi e respekt të thellë aktin heroik të kapiten Feti Voglit. Të kujtojmë kapiten Voglin si një ushtarak karriere i shkëlqyer, një profesionist i talentuar, i përkushtuar, me rezultate dhe arritje të larta në detyrë. Ta kujtojmë atë si një djalë, bashkëshortë, baba të përkushtuar, si një shtetas shembullor deri në ditën e fundit të jetës së tij”.
Duke folur për jetën dhe veprën e kapiten Feti Voglit, ministri Imami u tha se, ai luftoi me kurajo e guxim absolut, me nder e dinjitet duke dhënë dhe jetën e tij. Ai u qëllua ndërsa përpiqej të mbronte jetën e shokëve të tij, ndërsa përpiqej që ta bënte më të mirë jetën e të tjerëve. Për këtë arsye Fetiu është për ne në Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura, për popullin shqiptar, një hero që do të ketë nderimet më të larta. Akti heroik i kapiten Feti Vogli, i bën efektivat e Forcave të Armatosura, të ndjehen krenarë përpara kombit. Feti Vogli i është shtuar plejadës të mijëra shqiptarëve që dhanë jetën për atdheun, lirinë dhe vlerat më të larta humane gjatë këtyre 100 vjetëve të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe Forcave të Armatosura.
Më tej, ministri Imami, duke kujtuar dhe nderuar aktin sublim të kapiten Feti Voglit, u shpreh: “Shpirti i tij do të prehet përjetësisht në altarin e lirisë të kombit shqiptar. Ai do të përmendet si shembull i shkëlqyer dhe heroik në çdo apel të kontingjenteve tona, që do të nisen në operacionet jashtë vendit. Ne do të përulemi gjithnjë me respekt përpara veprës dhe sakrificës së tij në shërbim të paqes e sigurisë, si ushtarak model”.
Historia e jonë, ka vijuar Ministri Imami, është histori e luftës për mbijetesë, e përpjekjes për të ruajtur e zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri e mëvetësi. Është historia e heronjve të këtij kombi, historia e dëshmorëve të tij. Kapiten Feti Vogli është dëshmor i historisë moderne të vendit tonë, një vend tashmë i sigurt, pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, një vend që lufton për lirinë, paqen, sigurinë dhe vlerat më të mira njerëzore. Kapiten Feti Vogli dha jetën në shërbim të këtyre vlerave. Prandaj ai mbetet i paharrueshëm në mendjet dhe zemrat e familjes së tij, e kolegëve e bashkëluftëtarëve  të tij. Emri dhe vepra e kapiten Feti Voglit është përjetësuar në memorien e kombit shqiptar, - ka përfunduar fjalën e tij ministri i Mbrotjes Arben Imami.
Në emër të familjes së dëshmorit Feti Voglit foli vëllai i tij, Florenc Vogli, ndërsa nënkolonel Leonard Zhupa foli në emër të Batalionit të Forcave Speciale, njësisë ku shërbeu deri në fund të jetës së tij kapiten Feti Vogli.
Më pas, pranë bustit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, janë vendosur kurora me lule nga ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, nga familjarët e tij, nga Komanda e Focave Tokësore dhe e Batalionit të Forcave Speciale. Në vijim është zhvilluar ceremonia e inagurimit të muzeut të Batalionit të Forcave Speciale, si dhe për të pranishmit në këtë ceremoni përkujtimore u shfaq filmi dokumentar mbi jetën dhe veprën e Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, realizuar nga Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes.
Pas përfundimit të aktiviteteve në Batalionin e Forcvave Speciale në Zall-Herr u zhvilluan homazhe pranë varrit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku zv.ministria e Mbrojtjes, znj. Arta Musaraj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandantët e Forcave dhe njësive ushtarake, si dhe familjarë të dëshmorit Feti Vogli vendosën tufa me lule.
Vizitat në familjen e Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli që do të zhvillohen pasdite do të shënojnë përmbylljen e kësaj dite përkujtimore me rastin e 1-vjetorit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës gjatë kryerjes së misionit COMBAT “Eagle 4” në Kandahar të Afganistanit, më 20 shkurt 2012.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›