Presidenti tuk, Abdullah Gyl: Marrëdhëniet tona politike, themele të shkëlqyera për të dinamizuar më shumë bashkëpunimin ekonomik e tregtar
Presidenti i Turqisë, priti në një takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli
Në Pallatin Presidencial turk, Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl priti kryetaren e Kuvendit në një takim shumë miqësor, ku në bisedën e hapur, u theksua se niveli i lartë i marrëdhënieve politike dhe rrënjët e thella të miqësisë, përbëjnë themele të shkëlqyera për të dinamizuar më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Dy personalitet, duke shprehur rëndësinë e takimeve të tilla të nivelit të lartë, pohuan se mes dy vendeve tona mike ka ende mjaft potenciale për t’u aktivizuar.
Shkëmbimet tregtare me Turqinë, të favorizuara nga klima shumë e mirë që ekziston midis dy vendeve tona, njohin stabilitet dhe me tendencë gjithmonë në rritje dhe vitet e fundit, shkëmbimet ekonomike janë shumëfishuar.
Kryetarja e Kuvendit e njohu Presidentin Gyl me reformat e gjithanshme që Shqipëria ka realizuar, duke bërë gjithçka për përshpejtimin e realizimit të ëndrrës së madhe, bashkimin me familjen europiane.
Presidenti Gyl i shprehu Kryetares së Kuvendit vlerësimin më të lartë për përparimin e dukshëm gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, duke nënvizuar se reformat e bëra kanë nxitur sipërmarrësit turq për investime.
Presidenti Gyl tha se interesi i biznesit turk është gjithnjë e në rritje për të qenë edhe më prezent në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit falenderoi Presidentin Gyl për mbështetjen e diplomacisë turke në mbështetje të çështjes së Kosovës.
Presidenti Gyl dhe Kryetarja e Kuvendit shprehën kënaqësinë e tyre se midis dy vendeve ka një bashkëpunim në rritje edhe në fushën ushtarake, në arsim, mjekësi, por edhe në kulturë e turizëm.