Përkujtohet 17-vjetori i masakrës në Srebrenicë

Bosnje-Hercegovina shënon sot përvjetorin e 17 të masakrës së Srebrenicës ku mijëra burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.
Ngjarja kryesore do të jetë varrimi i kufomave të identifikuara kohët e fundit të 520 viktimave të masakrës së vitit 1995. Organizatorët presin më shumë se 30 mijë vetë të marrin pjesë.
Këto mbetje të viktimave ishin gjetur në varrezat masive dhe janë identifikuar nëpërmjet analizës ADN. Ata do të varrosen në vendin ku tashmë janë varret e afro 5 mijë viktimave të Srebrenicës.
Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka përkujtuar këtë ngjarje duke thënë se Srebrenica “përgjithmonë do të jetë e ndërlidhur me disa nga aktet më të errëta në shekulin e 20-të”, ndërsa masakrën e ka cilësuar si “akt të paparë të të genocidit, që ka shokuar botën”.
Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara “qëndrojnë afër popullit të Bosnjë Hercegovinës”.
Më 11 korrik të vitit 1995, nis masakra më e madhe në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore, Masakra e Srebrenicës, ku forcat serbe ekzekutuan 8 mijë meshkuj vetëm e vetëm se i përkisnin një tjetër grupi etnik dhe fetar.
Në vitin 1992 Serbia nisi luftën e Bosnjes. Në prill të vitit 1995 Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi Srebrenicën në veri-lindje të Bosnjes si “zonë të sigurtë”. Zona ruhej nga paqeruajtës të OKB-së, të njohur si “kaskat blu”.
Nga 11 korriku deri më 22 korrik forcat ushtarake të serbëve të Bosnjes të udhëhequra nga Ratko Mlladiç vranë e masakruan mbi 8 mijë vetë, kryesisht meshkuj mbi 14 vjeç.
Sot 17 vite më vonë, Bosnja përkujton masakrën më të madhe në historinë moderne të Europës. Për këtë ngjarje, përgjegjësit kryesorë, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç po përballen me drejtësinë në Hagë.