E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet 65-vjetori i kryengritjes së Postribës

TIRANE- Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit përkujtuan sot 65-vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Posrtibës, në një konferencë shkencore për t’i dhënë ngjarjes kuptimin e vërtetë historik. Ligjëratat pamjet filmike dhe kujtimet hodhën dritë mbi kryengritjen në veri të vendit pas Luftës se Dytë Botërore.

Kryengritja e Postribës kujtohet në Shkodër si një nga ngjarjet më të dhimbshme, pasi diktatura komuniste vrau gjatë përleshjes 21 burra, si dhe pushkatoi më pas, pa gjyq, 19 të tjerë. Ndërsa 13 persona u dënuan me burg të përjetshëm, 123 të tjerë u dënuan me vite të ndryshme burgimi, si dhe u dogjën 18 shtëpi. Mbi 1200 persona u internuan.

Qëllimi i kryengritjes ishte të sulmonin pikat kryesore të pushtetit lokal të asaj kohe në Shkodër dhe më pas të rrisnin pjesëmarrjen për të marshuar drejt Tiranës, deri në çlirimin e plotë të vendit nga forcat komuniste.

Hamza Kazazi, bir i një prej kryengritësve Jup Kazazit, që u vetëvra për t’i shpëtuar pushkatimit nga regjimi komunist, në një prononcim për mediat tha se është e domosdoshme që të shkruhet më shumë për këtë kryengritje që ajo të njihet siç duhet. "Babai e kujtoj të lidhur me armët, edhe në shtëpi. Ndërkohë që edhe më pas në familjen time kanë vazhduar persekutimet", - tha Kazazi.

Pjesëmarrësit referuan në lidhje me historikun e kësaj kryengritjeje antikomuniste,e cilësuar si e para e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europën Lindore, si dhe për domethënin e saj. Sipas tyre kjo kryengritje edhe pse është vlerësuar si një episod sporadik, në fakt është hallka e një zinxhiri kryengritjesh të armatosura.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›