E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet Agim Deva

Një vit pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit për fëmijë Agim Deva, miqtë dhe kolegët e tij, në prani të familjarëve dhe nxënësve të shkollave fillore, mbajtën një orë përkujtimore letrare ku, me poezitë e tyre për Agim Devën, u paraqitën anëtarë të Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, i cili që një vit mban emrin e poetit të ndjerë Agim Deva.

Duke folur për mikun dhe kolegun e tij të penës, Xhevat Syla, poet për fëmijë si dhe koordinator i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, u shpreh: “Sot jemi këtu për të përkujtuar Agim Devën, mikun tonë të shtrenjtë, shkrimtarin, profesorin, studiuesin, themeluesin dhe udhëheqësin e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, i cili që një vit shtegton me emrin e tij”. Syla tha se e ka vështirë ta besojë faktin e poeti Agim Deva nuk është midis nesh. “E kemi të vështirë ta besojmë këtë fakt, meqë sëmundja që na e mori me të shpejtë para një viti, e këputi gurrën e çiltër, të papeshuar, të vargjeve poetike, nga e cila lindën dhe priteshin të lindnin edhe aq shumë libra për fëmijët tanë dhe aq shumë libra të tjerë të rëndësishëm në fushën e studimeve të letërsisë sonë për fëmijë”, tha Syla.

Agim Deva ka shkruar rreth tetëdhjetë vepra të ndryshme për fëmijë dhe të rritur, vepra dhe artikuj të shumtë në fushën e studimit të letërsisë për fëmijë, por, sipas Sylës, në sirtarët e vet la edhe dhjetëra fashikuj me dorëshkrime të reja që pritnin për t’iu dhuruar fëmijëve tanë. “Kur të kihet parasysh gjithë ajo prodhimtari, gjithë ai vullnet për jetë e punë, është vërtet vështirë të pranohet hapi i padrejtë i vdekjes ta ndalë atë gurrë, ta marrë me vete atë poet që nuk diti për pushim, por punoi pa u ndalur për gëzimin, kënaqësinë, edukimin dhe rritën e fëmijëve tanë. Me librat e tij ai hyri në çdo shtëpi, në çdo mësonjëtore të shkollave tona, duke e kurorëzuar praninë e tij në zemrat e fëmijëve, së fundi, edhe me Abetaren e tij”, theksoi Syla.

Duke qenë aq i përkushtuar në këto punë, zëri poetik i Agim Devës, sipas Sylës, u ngrit me rreptësi dhe mjaft ashpër kundër të gjitha pengesave që i dilnin në rrugë edukimit të drejtë të fëmijës, por edhe drejtësisë dhe mirëqenies së njeriut në përgjithësi. Ai shtoi se ky zë na erdhi me një artikulim të këtillë posaçërisht në librat e tij më të ri me poezi, madje, si në poezitë për fëmijë, ashtu edhe në ato për të rritur. Sipas Sylës, ai ishte zëri më i fuqishëm në poezinë tonë për fëmijë kundër atyre që na e cenonin lirinë, na i mbyllnin shkollat, i qitnin fëmijët të punojnë me karroca në treg për shkak se ua kishin përjashtuar prindërit nga puna. “Ai ishte zë i fuqishëm, pra kundër të gjitha padrejtësive që i bëheshin njeriut tonë, posaçërisht fëmijëve tanë. Ai ishte kujdestar i përhershëm i njeriut tonë, i atdheut, i rritës dhe zhvillimit tonë”, tha Syla.

Ai shtoi se të gjithë ne jemi të shtrënguar të jetojmë me këtë mungesë derisa një ditë të shkojmë tek ai. “Por, jetën e vazhdojmë me kujtimin më të mirë për mikun, shkrimtarin, studiuesin, e profesorin e dashur e të respektuar, e vazhdojmë me veprën e tij të madhe, në të cilën, pothuajse në çdo varg, strofë, poezi e gjejmë frymën e tij, shpirtin e tij”, shtoi Syla. Në fund të fjalës së tij, Syla i ftoi të pranishmit që me një minutë heshtje t’i bëjnë nderimin poetit Agim Deva. Pas Sylës, edhe poetë të tjerë dhe miq të Devës, kujtuan momente të ndryshme që kanë pasur me te, ndërsa po ashtu lexuan edhe poezi kushtuar Agim Devës. Edhe fëmijët e korit “Zërat gazmorë” e kujtuan poetin e tyre të dashur me këngë të ndryshme që ishin me tekste të poezive të shkruara nga Agim Deva.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›