Çmimet Kombëtare të Letërsisë, Agron Tufa, shkrimtari i vitit

Tiranë, 1 Shkurt NOA/Milena Selimi - Janë
ndarë sot në mjediset e MTKRS-së, Çmimet Kombëtare të Letërsisë, me prezencën e Ministrit z.Ferdinand Xhaferi
dhe zëv/ministres Znj. Zana Turku, mes shumë personaliteteve të letrave shqipe
dhe anëtarëve të jurisë.
Në sallën Tefta Tashko është nderuar për
vitin 2009 me çmimin e madh kombëtar, shkrimtari, Agron Tufa, për veprën
Thembra e Akilit me motivacionin: Për kontributin që autori jep për çlirimin
e gjuhës nga klishetë.
Për vetë autorin Tufa çmimi ka qenë një
emocion i veçantë, por edhe një përgjegjësi e madhe.
Çmimi Lasgush Poradeci i është dhënë Vilson
Blloshmit, çmimi Migjeni për prurjet e autorëve debutues është dhënë për Eir
Plasari, çmimi Faik Konica për botimet në fushën e kritikës i është dhënë
akademikes Floresha Dado.
Çmimi Petro Marko për romanin më të mirë i
është dhënë Ben Blushit për romanin Otello Arapi i Vlorës,çmimi Jusuf
Vrioni për përkthyesin më të mirë i është dhënë Afrim Koçit, çmimi Gjergj
Fishta është dhënë për Adrian Vehbiun për kontributin e dhënë në fushën e
Esesë, si dhe Virgjil Muçit dhe Edmond Tupes, për përkthimet e letërsisë
botërore në shqip.
Tashmë janë shndërruar në një traditë, por nuk
cilësohen më si Penda e Artë dhe Penda e Argjendtë. Janë thjesht Çmimet
Kombëtare të Letërsisë. Megjithatë, nën emërtimin ndryshe, janë po të njëjtët,
duke filluar që nga konceptimi.
Juria e përbërë nga Mark Marku-kryetar,
Bardhyl Londo-anëtar, Pardi Teferiçi-anëtar, Agron Gjekmarkaj-anëtar, Mirela
Kumbaro-anëtare ka vlerësuar veprat e autorëve shqiptarë të botuar gjatë vitit
2009.
I menduar të zhvillohej më 20 dhjetor,
konkursi i letërsisë u shty për në fillim të 2010-ës, për vetë faktin e
thjeshtë që të kishte mundësi të shqyrtonte pa asnjë përjashtim të gjithë
botimet e vitit që lamë pas.
m.s/e.r/NOA