Agron Tufa: Për vlerësimin, falënderoj gjuhën e madhe shqipe
Vlerësohen protagonistët e letërsisë shqipe. Çmimi i Madh i Letërsisë shkon për veprën Thembra e Akcilit Evenimenti i shpalljes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, përbën një ngjarje dhe një motiv më shumë për të mbledhur sërish njerëzit e letrave, personalitetet e shquara të kulturës, për të ndarë së bashku kënaqësinë dhe emocionet e ndarjes së trofeve të veprave më të mira të vitit, në gjinitë e romanit, tregimit, poezisë, përkthimit, studimit dhe letërsisë për fëmijë. Ndaj dje në MTKRS u bë ndarja e çmimeve të letërsisë, ku Çmimi i Madh i Letërsisë i shkoi
shkrimtari Agron Tufa për veprën Thembra e Akcilit, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se për këtë çmim falënderonte gjuhën shqipe, po ashtu me çmimin Petro Marko u nderua dhe shkrimtari Ben Blushi për romanin Otello arapi i Vlorës, i cili u shpreh se libri i kishte dhënë kënaqësi.Ky libër më ka mbajtur gjallë 3-4 muaj, aq sa e kam shkruar. Është një libër që të jep emocione, u shpreh ndër të tjera Blushi. I pranishëm ishte dhe Ministri i TKRS z.Ferdinand Xhaferraj i shoqëruar me tre zv/ministrat, i cili veç botimeve letrare, vlerësoi dhe jurinë, e cila prej disa muajsh, ka hulumtuar mbi risitë dhe dukuritë letrare që janë shfaqur në botimet e vitit që lamë pas me arritjet më përfaqësuese në fushën e krijimtarisë letrare, studimit dhe përkthimit, që kanë shënuar një nivel kulmor në zhvillimet e sotme letrare. Juria me përbërje Mark Marku-kryetar, Bardhyl Londo-anëtar, Parid Teferiçi- anëtar, Agron Gjekmarkaj-anëtar dhe Mirela Kumbaro-anëtare vendosi për fituesit. Kryetari i jurisë Mark Marku pohoi se autorët shqiptarë kanë prodhuar vepra me vlera. Ka qenë një punë e vështirë, sepse autorët shqiptarë kanë prodhuar vepra me vlera, por juria e ka bërë përzgjedhjen e saj. Ka pasur një konkurrencë të fortë ndaj romanit, ndërkohë që letërsia shqipe po hyn në fazën postmoderne, u shpreh kryetari i jurisë Marku. Më tej ai tregoi se janë lënë jashtë këtij konkursi dy veprat e fundit të Ismail Kadaresë dhe vepra Bolero e Fatos Kongolit. Edicioni Çmimet Kombëtare të Letërsisë, i cili akordon për vlerat më të spikatura në fushën e letërsisë çmimet: Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Migjeni, Lasgush Poradeci, Jusuf Vrioni, Donat Kurti, përfaqëson një eveniment të përvitshëm, nëpërmjet të cilit vlerësohet krijimtaria letrare, studimore dhe përkthimore, e cila karakterizohet nga një dallueshmëri e spikatur letrare dhe estetike, që i ofrohet editorisë shqiptare përgjatë një viti kalendarik. Çmimet Kombëtare të Letërsisë para së gjithash synojnë sa të çmojnë krijimtarinë e shkrimtarëve të ndryshëm në vështrimin e traditës letrare kombëtare, aq edhe të dallojnë dhe promovuar prirjet e reja dhe të frytshme të saj. Në këtë kontekst, letërsia shqipe dhe autorët e saj e kanë krijuar tashmë profilin e tyre, duke e shndërruar krijimtarinë e tyre në një faktor të rëndësishëm në zhvillimet e letërsisë bashkëkohore. Disa kohë më parë burime nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve sinjalizonin për mbylljen e këtij konkursi rreth datës 20 dhjetor të vitit 200, ndërkohë që mbyllja e këtij konkursi në datën 20 dhjetor do të linte jashtë konkursit botimet e javës së fundit të dhjetorit. Për këtë arsye, burime po pranë kësaj ministrie bënë të ditur se konkursi i përvitshëm që organizonte Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të mbahej javën e fundit të janarit 2010 me qëllim që juria të gjykonte edhe veprat e fundit që janë hedhur në treg deri më 31 dhjetor. Në gjykim janë marrë vepra të botuara në mënyrë legale në territorin e Shqipërisë, nga rreth 120 shtëpi botuese. Ky konkurs ka një traditë shumë të gjatë, disa vjeçare, por gjithmonë ka pasur ndryshime. Në fillim ka qenë romani më i mirë i vitit, libri më poezi më i mirë i vitit. Pas një periudhë të gjatë rreth 10 vjeçare u bënë Pendat e Arta dhe të Argjenda për çmimet e letërsisë, të cilat dhe janë pagëzuar me emrat e korifenjve të letërsisë shqipe.
Çmimet Kombëtare të Letërsisë Çmimi i Madh i LetërsisëIu dha shkrimtarit Agron Tufa, për librin Thembra e Akcilit për stilin postmodern, për risinë e zhanrit të miniaturës, për çlirimin e gjuhës nga klishetë dhe për nivele të larta të shkrimit të shqipes.Çmimi Gjergj Fishta Iu dha studiuesit Ardian Vehbiu për vështrimin e thellë sociogjuhësor të deformimit të shqipes nën trysninë e dogmës komuniste.Çmimi Faik Konica Iu dha studiueses Floresha Dado për librin Sfidat teorike të historiografisë letrare për trajtimin origjinal të temave të rëndësishme të debatit teorik letrar shqiptar.Çmimi Fan Noli Iu dha përkthyesit Afrim Koçi për përkthimin në një shqipe të admirueshme të kryeveprës së nobelistit Tomas Mann Mali Magjik.Çmimi Petro Marko Iu dha shkrimtarit Ben Blushi për romanin Otello, arapi i Vlorës për aftësinë e ndërthurjeve rrëfimtare dhe për një këndvështrim të ri në romanin shqiptar.Çmimi MigjeniIu dha autores së re Eir Plasari për romanin Bërthama, për përpjekjen e saj origjinale në shkrimin e prozës.Çmimi Lasgush Poradeci Iu dha poetit Vilson Blloshmi për botimin e plotë të poezive të tij. Ky çmim vlerëson përpjekjet për emancipimin estetik të artit të poezisë duke sfiduar banalitetin e regjimit nën të cilin krijoi.Çmimi Jusuf VrioniIu dha përkthyesit Edmond Tupja për përkushtimin e tij të qëndrueshëm në përcjelljen e vlerave të letërsisë shqipe në gjuhën frënge.Çmimi Mitrush Kuteli Iu dha shkrimtarit Romeo Çollaku për përmbledhjen me tregime Për shtegtarët e pak metrave katrorë, për hijeshinë dhe befasinë e gjuhës e të kompozimit.Çmimin At Donat Kurti Iu dha shkrimtarit Virgjil Muçi për kontributin në afrimin e lexuesit të ri drejt visareve të kulturës popullore shqipe
Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Hene, 01 Shkurt 2010 21:08