E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet Beteja e Koshares

Nën patronatin e presidentit Fatmir Sejdiu, në Koshare është mbajtur manifestimi kushtuar 11-vjetorit të Betejës e Koshares, kur luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me një sulm frontal kundër forcave serbe filluan thyerjen e kufirit.

Presidenti Sejdiu tha me këtë rast se ndjehet krenar që mund te flasë për një ngjarje të veçantë të historisë moderne të Kosovës dhe për personalitete të çmuara të kombit.

“Sot ndjehem më krenar, sikurse edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, se kujtimi për njërën nga betejat më të lavdishme për popullin tonë, përkon me kremtimin e Ditës së Kushtetutës. Pjesët e Kushtetutës u shkruan edhe nga të luftëtarët dhe veteranët e kësaj beteje”, tha presidenti.

“Ushtria që kishte çlirimin ideal, më 9 prill 99, në një luftë ngadhënjyese lëvizi përpara për të mos u kthyer kurrë pas. Ishin 118 të rënët që hapen një fushë të re shprese dhe dinjiteti”, shtoi ai.

Në emër të veteranëve të Betejës së Koshares, një fjalë rasti mbajti edhe ish-eprori i kësaj beteje, Anton Çuni, i cili në mënyrë të detajuar shpjegoi zhvillimet 24-orëshe të kësaj beteje.

“Ne me forcat minimale, duke mos e ekspozuar forcat rezervë dhe armatimin e rëndë arritëm që në mënyrë adekuate ta pranojmë luftën. Goditjen e parë e pranoi kompania e tretë e Batalionit Diversanto-Vëzhgues. Falë pajisjeve për shikim nate, lëvizjet e armikut do të zbulohen më kohë, kështu që ata do të lejohen të zhvillojnë një formacion ushtarak dhe t’u ofrohen pozicioneve tona deri ën 30 – 50 metra. Pasi arritën në distancë, ku mund të vëreheshin konturat dhe të dëgjohej komunikimi i tyre, ata do të gjinden nën zjarrin e koncentruar”, tha Quni.

Ai vazhdoi të prezantojë detaje tjera të zhvillimeve të luftimeve gjatë kësaj dite, kur luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënuan fitore, përkundër përballjes me artilerinë e armikut. Siç shpjegoi Quni, armiku kishte hedhur në pozicionet e luftëtarëve të UÇK-së edhe dy lloje të helmeve.

Manifestimi për Betejën e Koshares po organizohet nën patronatin e presidentit Fatmir Sejdiu, me moton “Ditët e Shqipes”.

Manifestimi ka nisur më 9 prill, ditën kur ka rënë dëshmori Agim Ramadani, e cila ditë njihet si dita e dëshmorëve të Koshares dhe do të përfundojë më 11 prill, në ditën e rënies së dëshmorit Sali Çeku, e cila njihet si dita e veteranëve të luftëtarëve të Koshares.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›