E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vetëvendosja” hedh ngjyrë të zezë në Gjykatën Kushtetuese

Në dyvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, lëvizja “Vetëvendosje” ka organizuar një aksion, i cili është quajtur simbolik, duke hedhur qese me ngjyrë të zezë në objektin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Aktivistët e kësaj lëvizjeje thanë se kjo gjykatë është “për faqe të zezë”, po merr vendime që përdhosin identitetin dhe historinë e shqiptarëve dhe ka për qëllim ta zbatojë deri në fund Planin e Ahtisaarit, të cilin e quajtën antishqiptar.

“Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë e Planit të Ahtisaarit. Me vendimet e saja të para ajo na ka treguar se sa e etur është që t’i shkojë zbatimit të këtij plani antishqiptar deri në fund”, tha Frashër Krasniqi, aktivist i kësaj lëvizjeje.

Kosova ka pasur Kushtetutë, sipas tij, edhe në kohën e Rankoviqit, por ajo nuk ka qenë e shqiptarëve. “Ligj ka pasur edhe në kohën e Rrahman Morinës, por ai ka qenë i huaj. Në çastin që gjithçka arsyetohet me zbatim të ligjit, njerëzit bëhen robotë. Ligji duhet të jetë yni, jo i Ahtisaarit”, ka shtuar Krasniqi.

Duke e komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar Kuvendin Komunal të Prizrenit, ta ndërrojë stemën me Lidhjen e Prizrenit, ky aktivist i “Vetëvendosjes” tha se këtë fat do ta kenë edhe ato pak institucione të mbetura me simbolikë kombëtare shqiptare.

“Mision i kësaj gjykate është që Kosova të bëhet joshqiptare. Kjo gjykatë me vendimet e veta po e sulmon dhe fyen popullin shumicë të Kosovës. Kjo gjykatë po na e përdhos identitetin dhe historinë”, tha Krasniqi.

Lëvizja “Vetëvendosje” vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk është marrë asnjëherë me veprimet e përditshme antikushtetuese të strukturave paralele të Serbisë. Kjo, sipas tyre, do të thotë që ose gjykata i konsideron këto struktura të drejta.

"Gjykata Kushtetuese nuk është marrë as me postet e dyfishta antikushtetuese të kryeministrit e të presidentit. Kjo gjykatë, ashku sikurse edhe të gjitha gjykatat tjera të EULEX-it dhe Planit të Ahtisaarit, janë për faqe të zezë. Ato na e qitën faqen e zezë”, ka theksuar Frashër Krasniqi.

Aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, në rrethojën e objektit të Gjykatës, vendosën edhe të shkruara arsyet e aksionit. “Gjykata Kushtetuese është e Kushtetutës së Ahtisaarit, jo e qytetarëve”, “Kjo gjykatë merr vendime kundër popullit shumicë të Kosovës”, “Ajo merr vendime antikombëtare, kundër identitetit dhe historisë sonë”, “Nuk i shpall antikushtetuese strukturat paralele të Serbisë, por Lidhjen e Prizrenit” dhe “Nuk i shpall antikushtetuese postet e dyfishta të udhëheqësve politikë, por shqiponjën dykrenare”, shkruante në mbishkrimet e vendosura.

Pasi aktivistët e “Vetëvendosjes” ishin larguar, në vendin e ngjarjes është paraqitur policia, e cila e ka rrethuar me shirit objektin e ngjyrosur të Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›