E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet Riza Binishi

Nga Express më 28 shkurt 2011 në ora 18:41

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të hënën është mbajtur mbledhje komemorative, për të përkujtuar jetën, veprën dhe kontributin e prof.dr Riza Binishit, i cili vdiq dje në një Klinikë të Berlinit.

Në mbledhjen përkujtimore, ishin prezentë drejtorët e klinikave të QKUK-së dhe Kolegjiumi i Klinikës së Kirurgjisë.

Pasi u nderua me një minutë heshtje figura e tij, fjalë rasti mbajti ud. i drejtorit Ekzekutiv të QKUK-së, Lulzim Emini, i cili tha se Binishi, ishte një nga kirurgët e parë të Kosovës dhe doktor i shkencave të mjekësisë.

Ai shkëputi pjesë nga jeta dhe veprimtaria e kirurgut dhe profesorit Riza Binishi, duke rikujtuar se ai u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, ku vazhdoi studimet specialistike në lëmin e kirurgjisë, kurse më pas kreu edhe doktoraturën.

“Ai ishte edhe Dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe ushtroi funksione të rëndësishme në klinikat e QKUK-së. Në fund të viteve të tetëdhjeta u përjashtua për shkak të qëndrimeve të tija patriotike”, tha Emini.

Ai përmendi edhe kontributin që kishte dhënë prof. Binishi gjatë luftës çlirimtare në rajonin e Llapit, ku shpëtoi dhjetëra jetë luftëtarësh dhe civilësh të plagosur nga forcat serbe.

Në fund është vlerësuar se dr. Binishi do të mbahet në mend përherë, si njeri që nuk u kursye kurrë në shërbim të atdheut dhe lirisë dhe ishte i gatshëm që gjatë gjithë kohës ti ndihmoi popullit të tij.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›