E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen nga Libia

Janë evakuuar nga Libia, një grup prej 14 personash, shtetas të Kosovës. Të hënën ata mbërritën në aeroportin e Prishtinës. Grupi përbëhej nga studentë e familjarë që jetojnë në qytetin e Tripolit. Sipas tyre, situata në këtë qytet është e qetë. Nga Lirita Halili më 01 mars 2011 në ora 08:52

Në mesditën e së hënës, Aeroporti i Prishtinës ishte i mbushur me udhëtarë që vinin nga vende të ndryshme. Por përveç tyre, nga aeroplani që vinte nga Stambolli, ishin edhe 14 personat që janë evakuuar nga Libia.

Në turmën e personave që u kthyen, ishte edhe Hysni Beka nga Prishtina, student në Libi. Hysniu ishte personi që vazhdimisht ishte në kontakt me mediet dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai si përfaqësues i këtij grupi që u kthyen në vendlindje, shpjegoi të gjitha detajet e rrugëtimit për në Kosovë.

Hysniu thotë se sa u përket shqiptarëve që jetojnë në Libi, asnjëri nga ta në asnjë moment nuk ka qenë në rrezik. “Grupi ynë që kemi ardhur, studentë e familjarë, vijmë nga qyteti i Tripolit. Aty kemi qenë jashtë çdo rreziku”, pohon ai.

Sipas Hysniut, i vetmi mundim për të cilin ai dhe grupi mund të ankohen, është vështirësia që kanë pasur në aeroportin e qytetit të Tripolit. “Aty ka qenë tmerr. Jo nga ana e sigurisë apo situatës, por nga turma e njerëzve. Kemi pritur nga mëngjesi deri në mbrëmje për të hipur në aeroplan”, sqaron Hysni Beka.

Megjithatë, ai vazhdon të potencojë se arsyeja pse ai me grupin kanë vendosur që të kthehen, nuk është për çështje të rrezikut për jetën. “Nuk është e gjithë Libia në rrezik, janë disa pjesë. Ne nuk e pamë të arsyeshme që të rrimë më, sepse familjet që i kemi në Kosovë, kanë qenë vazhdimisht nën presion”, rrëfen Hysniu. “E përveç familjes, edhe MPJ-ja e Bashkësia Islame kanë qenë të interesuar që ne të kthehemi”, pohon ai.

E, përveç Hysniut, edhe disa studentëve të tjerë që janë kthyer nga Libia, në mesin e këtij grupi kishte edhe familje. Njëra ndër ato ishte familja e Mërgim Saqipit, e cila gjithashtu jetonte në qytetin e Tripolit.
Mërgimi thotë se gjatë gjithë ditës, ai dhe familja e tij kanë qenë të lirë të lëvizin deri në mbrëmje. “Madje edhe shkollat vetëm ditët e para, sepse pastaj kanë filluar vijimin e mësimit rregullisht, çdo ditë’, u shpreh i bindur ai.

Por nuk është ky grupi i vetëm që janë kthyer nga shteti i Libisë. Artan Behrami, zyrtar për informim i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sqaron se edhe gjatë ditës së martë do të jetë një familje e cila do të kthehet në Kosovë.

Personat e evakuuar

Hysni Beka
Ekzon Rama
Haris Rexhepi
Durim Kasemi (shtetas i Republikës së Shqipërisë)
Sedat Topanica
Qëndrim Saqipi
Flamur Saqipi
Mërgim Saqipi
Liridona Saqipi
Bedrije Saqipi
Sidki Ibrahimi
Laura Osmani
Muhamed Shehu
Berat Koronica

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›