E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Prioritet, bashkëpunimi me EULEX-in dhe ICO-në

Nga Express më 28 shkurt 2011 në ora 19:01

Ministri i ri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se prioritet i punës së tij do të jetë që në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, si EULEX-in dhe ICO-në të shpejtojë implementimin e ligjeve dhe fuqizimin e tyre dhe në një të ardhme të afërt të funksionalizohet agjencioni për sekuestrimin e pasurisë së paligjshme.

Gjatë një konference për media, Kuçi bëri të ditura prioritetet e tij si ministër, ndërsa tha se do të mbështes në mënyrë të fuqishme punën e gjyqësorit dhe të prokurorive në vend dhe do të shikoj mundësinë për rritjen e numrit të punonjësve në këta sektorë.

“Do të punojë në implementimin e ligjeve që tashmë janë hyrë në fuqi, në veçanti ligjin për gjykatat, për Këshillin Gjyqësor, për Këshillin Prokurorial dhe për Prokurorinë e shtetit. Do të mbështes rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në vend sipas nevojave, por edhe sipas standardëve ndërkombëtare. Unë e di që ka nevojë që të rritet ky numër në kuadër të sistemit gjyqësor”, ka pohuar ai.

Ai tha se tash e tutje, stafi i prokurorive nuk do të përzgjidhet nga Ministria e Drejtësisë, por këto institucione do t’i marrin vetë në duar te tyre kompetencat që u takojnë dhe të bëjnë përzgjedhjen.

Nga prioritetet e tij, Kuçi përmendi se brenda tre muajve do të procedojë Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, projektligjin për ndihmë juridike falas, atë për mbrojtje të informatorëve, projektligjin për përgjegjësi penale të personave juridik, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, si dhe projektligjin për konfliktin e interesit.

Madje Kuçi tha se në një të ardhme të afërt do të funksionalizohet edhe agjencioni për sekuestrimin e pasurisë së paligjshme.

“Do të funksionalizoj Agjencionin për sekuestrimin e pasurisë së paligjshme, duke organizuar këtë Agjenci dhe duke bashkëpunuar shumë më ngushtë me gjykatat dhe me Policinë e Kosovës. Do të rrisë efikasitetin në shërbimin korrektues dhe sprovues të Kosovës, duke rritur disiplinën në punë, por edhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e të burgosurve”, tha Kuçi.

Ai bëri të ditur se ka marrë vendim që Ministria e Drejtësisë të mos merret më me ndërtimin e objekteve dhe punë të infrastrukturës dhe si rrjedhojë çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, ndërtimi i burgjeve dhe të gjykatave apo të prokurorive, barten në ministritë tjera.

Në këtë rast, ministri Hajredin Kuçi tha se ka vendosur që mos të merret as me periudhat e mëhershme dhe zhvillimet që kanë ndodhur në Ministrinë e Drejtësisë, por vetëm me periudhën prej kur ka marrë në udhëheqje ministrinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›