E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet gjenocidi grek, mijëra çamë drejt tokës së stërgjyshërve

Marshimi nga varrezat e Kllogjerit, deri në Qafë-Botë, në kujtim të 66-vjetorit të masakrës mbi popullsinë çame

Drejt tokës së gjyshërve të tyre, atje ku 66 vjet më parë trupat ushtarake greke, të udhëhequra nga Napolon Zerva, masakruan qindra burra dhe gra, u gjendën dje mijëra qytetarë të komunitetit çam. Marshimi nisi rreth orës 18:00 nga varrezat e Kllogjerit të Xarrës, e më andej në pikëtakimin e kufirit shqiptar me atë grek, në Qafë-Botë. Në Kllogjer janë bërë homazhe në varret e të parëve, të cilat janë rehabilituar kohë më parë. Marshimi nisi pikërisht nga ky vend, ku prehen 2900 persona, të cilët vdiqën rrugës, gjatë eksodit të popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur çame, që ikte për t’i shpëtuar gjenocidit dhe dhunës greke. Pranë pllakës përkujtimore që e identifikon atë si varrezë masive të 2900 çamëve të cilët vdiqën nga sëmundjet e uria, u vendosën tufa dhe kurora me lule në shenjë respekti për kalvarin e vuajtjes së tyre. Pastaj vargani i marshuesve ka marrë rrugën drejt Qafë-Botës, ku u organizua një miting proteste. Një flamur i madh kombëtar me nënshkrimin “çamëria” i priu varganit të njerëzve. Rreth 1 km përpara hyrjes në Qafë-Botë, turma u nis më këmbë drejt pëllëmbës së fundit të tokës shqiptare. Ndërkohë, sheshi përpara doganës skuqte nga flamujt kombëtarë dhe zbardhte nga bluzat e bardha ku shkruhej "I love çamëria". Një podium i madh u kthye në skenë për këngëtarë të shumtë të ardhur nga kryeqyteti dhe nga ansambli “çamëria”.

Pjesë e pelegrinazhit kanë qenë edhe deputetët Shpëtim Idrizi e Dashamir Tahiraj, si dhe kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, studiuesit e historisë dhe të çështjes çame, Pëllumb Xhufi, Mentor Nazarko, si dhe At Nikolla nga Elbasani. Gjatë tubimit në Qafë-Botë, organizatorët i ftuan të pranishmit të kthenin fytyrat nga kodrat greke përballë, me shpresë se Greqia do të dëgjojë më së fundi kërkesën e çamëve për t'u kthyer në shtëpitë e tyre. “Ndihemi të lënduar përpara kësaj varreze masive. Por lotët tanë do të bëhen lot për të dhënë drejtësi. Përulem me respekt përpara këtyre varreve, duke thënë se çamëria është e jona dhe shumë shpejt do të shkojmë në çamërinë tonë. Ka një gur në Kllogjer në nderim të viktimave të gjenocidit të 66 viteve më parë. Ne sot vendosim kurora me lule, por ju them se shumë shpejt do të vendosen edhe emrat e këtyre viktimave. Do të vendosim edhe një gur të dytë, ku do të vendosen emrat e atyre që e bënë genocidin”, ka thënë mes të tjerash deputeti Shpëtim Idrizi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›